
Partia Demokratike ka denoncuar një kontratë të lidhur nga AKSHI me kompaninë “Ovla Systems”, për të cilën sipas opozitës janë paguar rreth 2.1 milionë euro nga fondet publike.
Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, deklaron se një nga ish-pronarët e kompanisë ka qenë Fabjon Hysa, i sanksionuar sipas saj nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit Amerikan të Thesarit (OFAC) dhe nga rrjete të zbatimit të ligjit financiar ndërkombëtar.
Sipas deklaratës së PD-së, kontrata me AKSHI është nënshkruar më 29 dhjetor 2022 për ndërtimin e regjistrave profesionalë mjekësorë dhe për këtë shërbim janë disbursuar fondet publike të sipërpërmendura.
Opozita ngre gjithashtu dyshime mbi një transaksion të mëvonshëm të aksioneve të kompanisë, të cilat sipas saj janë shitur për një vlerë simbolike, duke ngritur pikëpyetje për strukturën reale të pronësisë.
Në deklaratë, PD kërkon që SPAK të zgjerojë hetimet për kontratat e AKSHI-t dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke kërkuar transparencë të plotë dhe verifikim të çdo lidhjeje të mundshme me veprimtari kriminale.
Institucionet përkatëse nuk kanë reaguar ende publikisht lidhur me këto pretendime.