Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim gazi në minierë në Kinë, rritet në 90 numri i viktimave



Numri i viktimave nga shpërthimi i gazit në një minierë qymyri në provincën Shanxi, në veri të Kinës, është rritur në 90 persona, raportoi të shtunën televizioni shtetëror CCTV, duke e bërë ngjarjen një nga aksidentet më të rënda minerare të dekadës së fundit në vend, përcjell Reuters.

Shpërthimi ndodhi të premten vonë në minierën Liushenyu në qarkun Qinyuan, ndërsa nëntokë ndodheshin 247 punëtorë, sipas agjencisë shtetërore Xinhua. Autoritetet thanë se operacionet e kërkim-shpëtimit vijonin, ndërsa ende po hetohen shkaqet e incidentit.

Presidenti i Xi Jinping u bëri thirrje autoriteteve që të bëjnë “çdo përpjekje” për trajtimin e të lënduarve dhe për kërkimin e të mbijetuarve, si dhe urdhëroi një hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve sipas ligjit.

Edhe kryeministri Li Qiang kërkoi transparencë në komunikimin e informacionit dhe hetim të rreptë për përgjegjësitë institucionale dhe administrative.

Sipas autoriteteve lokale të emergjencave në Qinyuan, operacionet e shpëtimit po vijojnë në kushte të vështira, ndërsa kompania që administron minierën ka parë drejtuesit e saj të ndalohen nga autoritetet, sipas raportimeve të mediave shtetërore.

Kina ka arritur të ulë ndjeshëm numrin e aksidenteve në miniera gjatë dy dekadave të fundit përmes rregullave më të rrepta të sigurisë, por incidente të tilla mbeten ende një rrezik i përsëritur në industrinë e qymyrit. Shpërthimi në Liushenyu po konsiderohet ndër më vdekjeprurësit e viteve të fundit.