Vendosni fjalën kyçe....

Soreca takon Sadushin: BE-ja ka plan të qartë për sistemin e drejtësisë, funksionimi i Gjykatës së Lartë do sjellë edhe plotësimin e Kushtetueses


Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, zhvilloi ditën e sotme  një takim me Zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushin.

Gjatë takimit u diskutua mbi aktivitetin e deritanishëm të gjykatës, sfidat më të cilat ajo përballet vazhdimisht, si edhe punën e kryer nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, në drejtim të uljes së numrit të çështjeve të prapambetura, zbatimit të kërkesave kushtetuese e ndryshimeve të fundit procedurale ligjore për përmirësimin e situatës në këtë institucion, me qëllim krijimin e një klime besimi tek qytetarët.

Sadushi, falënderoi Ambasadorin e BE për ndihmën në drejtim të masave të marra për ndryshimet ligjore, të cilat kanë ndikuar në procesin e shqyrtimit efektiv të dosjeve gjyqësore.

Ardhja e gjyqtarëve të rinj, për të plotësuar më tej trupën gjyqësore është e domosdoshme për të rritur eficencën e Gjykatës së Lartë e cila paralelisht do të bëjë të mundur edhe përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, kjo gjykatë shpalli pak kohë më parë edhe nisjen e procedurave për tre vendet vakantë në Gjykatën Kushtetuese, për të bërë të mundur vijimin e këtij procesi të rëndësishëm pa vonesa dhe në kohë.

Nga ana tjetër Soreca, vlerësoi punën e kryer deri tani nga Gjykata e Lartë. Sipas tij, puna e bërë nga Gjykata me çështjet e prapambetura është parë me vlerësim nga komuniteti ndërkombëtar. Duke përmenduar ndryshimet e fundit procedurale ligjore, ambasadori Soreca vlerësoi faktin së ato janë një ndihmë konkrete për mbarëvajtjen e procesit të shqyrtimit të çështjeve në gjykatë, e cila në këtë mënyrë bëhët edhe më eficente në punën e saj. Funksionimi normal i Gjykatës së Lartë, me ardhjen edhe të anëtarëve të saj të rinj, sjell padyshim edhe plotësimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.  

Soreca siguroi se mbështetja e Delegacionit të Bashkimit Evropian do të vijojë të jetë e pranishme dhe e shpeshtë në të ardhmen, pasi BE ka një plan dhe program të qartë e të dedikuar për  institucionet e pavarura të drejtësisë.