Vendosni fjalën kyçe....

Atentati me dy viktima në Lezhë, policia: Po hetohen pistat, ngjarja drejt zbardhjes


Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar këtë të diel në Lezhë, ku një çift bashkëshortësh u ekzekutua me armë zjarri brenda automjetit të tyre në zonën e Balldrenit.

Viktimat janë identifikuar si 39-vjeçari Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, të cilët humbën jetën si pasojë e të shtënave me breshëri ndaj mjetit tip “Audi Q7” me të cilin po udhëtonin.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë në Lezhë, Arben Nasufi, deklaroi për mediat se autorët kanë qëlluar në lëvizje, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy personave.

“Është konstatuar se gjatë lëvizjes së një mjeti, ai është qëlluar me breshëri armësh. Mjekët kanë konfirmuar për humbjen e jetëve të dy personave, një burrë e një grua. Nën drejtimin e prokurorit është ngritur grupi hetimor dhe po kryhen të gjitha veprimet në terren për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, u shpreh Nasufi.

Ai shtoi se grupi hetimor po punon intensivisht për mbledhjen dhe fiksimin e çdo prove në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia bën me dije se një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me të kaluarën e viktimës, pasi Kreshnik Mujeci ishte akuzuar për vrasjen e Gegë Mëhillit në vitin 2016, për të cilën ishte arrestuar në vitin 2017 së bashku me dy vëllezërit e tij.

Autoritetet theksojnë se hetimet janë në vijim dhe pritet që në orët në vijim të ketë zhvillime të reja mbi këtë atentat të dyfishtë që ka tronditur zonën.