
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar ashpër incidentin me armë të ndodhur gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në hotelin Washington Hilton.
Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Begaj theksoi se në një demokraci, ndasitë duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe ideve, e jo përmes dhunës.
“Sulme të tilla brutale që minojnë demokracinë dhe dëmtojnë vlerat themelore të saj janë të papranueshme. Shpreh solidaritet të plotë me popullin amerikan dhe i uroj Presidentit dhe Zonjës së Parë dhe të gjithë të pranishmëve shëndet dhe siguri”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk pësoi lëndime. Ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë u evakuuan nga aktiviteti pas të shtënave që ndodhën jashtë sallës së banketit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka rikthyer vëmendjen mbi sigurinë në eventet publike në SHBA.