Vendosni fjalën kyçe....

Mjekët paralajmërojnë Navalny-n: Ndalo grevën e urisë menjëherë ose do vdesësh


Mjekët e udhëheqësit të burgosur të opozitës në Rusi, Alexei Navalny e kanë nxitur atë që t’i japë fund grevës së tij të urisë, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë mund të vdesë.

Në një deklaratë, pesë mjekët e tij thonë se kanë marrë përgjigjet e testeve të tij mjekësore të kryera më 20 Prill.

“Nëse greva e urisë vazhdon edhe për një kohë minimale, për fat të keq, ne thjesht nuk do të kemi askënd për të trajtuar së shpejti.”– thonë ata, citon BBC.

Mijëra rusë u mblodhën të Mërkurën duke kërkuar lirimin e Navalny-t.

Më shumë se 1 mijë njerëz u arrestuan në disa qytete, përfshirë këtu dhe kryeqytetin Moskën.

Navalny u burgos në shkurt dhe ka nisur një grevë urie prej më shumë se 20 ditësh, për të kërkuar kujdes mjekësor për dhimbjet akute që kishte në shpinë dhe mpirje të këmbëve.

Çfarë thanë mjekët?

Deklarata e mjekëve u botua në faqen e internetit të Mediazona të Enjten. Mjekët, të cilëve u është ndaluar të takojnë Navalny-t, thonë se përfundimet e tyre bazohen në rezultatet e testeve mjekësore të së martës. Testet u kryen në një spital në qytetin Vladimir, në lindje të Moskës.

Mjekët – të cilët e kishin trajtuar udhëheqësin e opozitës para se të burgosej – paralajmërojnë se problemet me veshkat dhe sistemin nervor të Navalny-t sugjerojnë që ai do të vdesë nëse greva e urisë vazhdon edhe për pak.

Mjekët i thonë Navalny-t se duhet “të ndalojë menjëherë grevën e urisë për të ruajtur jetën dhe shëndetin e tij”. Ata gjithashtu po kërkojnë që të lejohen ta takojnë pacientin e tyre.

Autoritetet ruse nuk e kanë komentuar publikisht deklaratën e mjekëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *