Vendosni fjalën kyçe....

Dr.Andrin Tahiri: Sfidat ekonomike dhe sociale si pasojë e Covidit mund të rrisin numrin e përdoruesve të drogërave


Varësia ndaj çdo lloj lënde narkotike nuk është thjesht një dobësi e personalitetit të personit, është një sëmundje që mund ta shoqërojë gjithë jetën. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Online” mjeku toksikolog Dr. Andrin Tahiri tregon më shumë rreth këtij fenomeni në rritje.

Doktor, a mund ta quajmë sëmundje, varësinë ndaj drogës apo është ves?

Varësia ndaj drogës nuk është ves por është sëmundje kronike, e cila kërkon asistencë mjekësore të mirëfilltë, të shtrirë në kohë, në periudha afatgjata ose afatshkurtra me konsultë të përbashkët ose trajtim multidisiplinor me psikiatër dhe psikolog.

 Cila është grupmosha më e prirur për të marrë lëndë narkotike?

Droga nuk zgjedh, droga i prek të gjitha shtresat e shoqërisë ku ne jetojmë ashtu sikuse nuk njeh edhe moshë. Në vitin që shkoi, vitin pandemik, ka patur nevojë për asistencë mjekësore të shumë grupmoshave por, për shkak të covidit konsulta është bërë on-line.

Ky trend është në rritje apo në ulje?

Trendi fatkeqësisht është në rritje dhe jo në ulje të rasteve. Trend në rritje është për lëndë drogë Marijuana (kanabis) sidomos tek mosha e adoleshencës (vitet e para të shkollës së mesme)

Për të rriturit trendi ka rritje në lëndën narkotike të llojit kokainë.

Për drogërat e tjera sintetike ku përmend amfetaminën etj, janë raste të izoluara të cilat kanë marrë shërbimin mjekësor dhe janë larguar.

Përdoruesit e heroinës janë në pozicion të stacionuar, me plus apo minus rritje të vogla. Jo rritje të dukshme të shtimit të numrit

A është akoma “tabu”, “turp” të kërkosh ndihmë për të lënë drogën?

Stigma është akoma dhe më shumë e cila është një problem tradicional. Sidomos për prindërit e pacientit por dhe nga pacienti vetë, sidomos pacientët që janë përdorues të kokainës dhe për ta lënë atë, stigma është akoma dhe më shumë. Kanë një ndrojtje në vetvete, nuk duan të jenë në publik. Kategoria që abuzon me kokainën është kategoria që ka një mbështetje monetare, ka një lloj mirëqënie, kjo bën që të mos i drejtohen spitalit për të kërkuar ndihmë. Ndërsa për adoleshentët më shumë është çështje moshe, janë në një moshë në udhëkryq. Më shumë do të thoja që për këtë grupmoshë është për prindërit ajo ndrojtja dhe pranimi që fëmija i përdor lëndë narkotike dhe nuk duan që ky fenomen të jetë tek fëmijët e tyre.

Nuk është se janë të ndarë se cila gjini është më shumë ose më pak përdoruese. Janë njëlloj të dyja gjinitë. Mendoj se abuzmi me drogërat ka filluar të bëhet stil jetese, presioni i komunitetit kur dikush e sjell si risi këtë trend nuk ka diferencë në gjini në përdorim.

COVID -19 si po ndikon tek këto të individë?

Gjatë periudhës së pandemisë janë vënë re sjellje të reja tek përdoruesit e drogës dhe këtu përmend:

  • Dhunën fizike
  • Agresivitet në familje dhe në komunitet.

Për fatin e keq edhe pse ka qenë pandemia, lënda narkotike është gjetur nga përdoruesit dhe nuk ka qenë problem për t’u gjendur. Problem për ne është stigma që kanë për të kërkuar ndihmë tek një mjek specialist, nevoja për këshilla.

Gjatë kësaj periudhe do ketë tendencë për t’u rritur numri duke qenë në një situatë të vështirë, ku problemet sociale dhe ekonomike dita ditës po bëhen më të mëdha. Por mbetet për t’u parë, ne jemi gati të përballemi me situatën duke i dhënë asistencën mjekësore çdokujt që ka nevojë për të.

Sa është mundësia që një ish-përdorues t’i rikthehet përsëri përdorimit të lëndëve narkotike?

Mundësia që t’i kthehet përsëri është, nuk mund të them e madhe por që ka mundësi rikthimi. Ne i themi gërryerje psikologjike që vazhdon për një kohë të gjatë dhe me shumë modesti mund të them pothuaj edhe për gjithë jetën.

Nëse ti i jep këtij pacienti një trajtim multidisiplinor me asistencë mjekësore, psikologjike dhe asistencë familjare, mund ta quajmë luftë të fituar në momentin që ti i edukon sjelljen pacientit ndaj drogës. Ai pacient do e ketë gjithmonë ndjenjën e tundimit, duke qenë përballë realiteteve të ndryshme bën të tundohet por, kur e ka fituar sjelljen ndaj drogës mund të themi që është i fituar dhe i shëruar.

Sa zgjat trajtimi për të lënë drogën?

Hapi i parë për të fituar këtë betejë është se pacienti duhet të jetë i motivuar dhe në bindje të plotë për të lënë këtë varësi.

E gjitha varet nga shkalla e varësisë dhe lënda drogë e marrë, mosha, gjinia, frekuenca e kohës së marrjes së lëndës narkotike. Janë shumë faktorë të cilët ndikojnë. Një mjek i specializuar e shikon nëse pacienti ka nevojë për një detox afat shkurtër ose afatgjatë, ka nevojë që të futet në programe rehabilitimi, ose në programe kur i jepen terapi zëvëndësuese e cila varet nga lloji i drogës. Terapitë zëvendësuese mund të jenë me Metadon ose me Buprenorfiini (e cila është një zëvëndësues shumë i mirë e Metadonit) procedurë e cila bëhet me një konsultë me një toksikolog, psikiatër dhe të një psikologu.

Funksinon ky lloj trajtimi në këtë pavion?

Po funksionon edhe me sukses të plotë për këto pacientë. Por është një punë multidisiplinore, ku të gjithën në dorë e ka pacienti duke e pranuar që vuan nga kjo sëmundje. Dhe familja duhet të jetë sa më e kompletuar në aspektin që e kupton rastin, kërkojnë ndihmë dhe e pranojnë ndihmën.

Do theksoja fort që ai që merr drogë nuk është një njeri i keq, nuk ka prindër të këqinj. Se shumë herë vijnë na thonë që ‘jam prind i keq ngaqë fëmija im merr lëndë narkotike’, ose ‘jam një person i keq pse përdor lëndë narkotike’.

 VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Shendeti.com.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *