Vendosni fjalën kyçe....

A e paralajmëroi në Instagram xhihadisti terrorin që do bënte në Vjenë?


Para sulmit terrorist në qendër të Vjenës, një foto e një xhihadisti i cili pozonte me një armë shumë të ngjashme me atë që u përdor në sulmin që ndodhi mbrëmjen e kaluar u shfaq në Instagram.

Policia austriake aktualisht po kërkon për të zbuluar identitetin e bombarduesit të vrarë në Vjenë.

Sipas gazetës “Bild“, hetuesit tashmë dyshojnë se kush mund të jetë burri i armatosur. Ditën e sulmit, thuhet se ai u ka dërguar dy shokëve të tij video të sulmit ndaj revistës “Charlie Hebdo” në Francë, në vitin 2015. Në atë kohë, dy ekstremistë islamikë mësynë ndërtesën e redaksisë në Paris dhe vranë gjithsej dymbëdhjetë persona.

Autori i dyshuar thuhet gjithashtu se ka postuar disa fotografi në Instagram ku betohej për besnikëri ndaj “udhëheqësit të besimtarëve” Abu Ibrahim, udhëheqësi i milicisë terroriste të Shtetit Islamik. I dyshuari shfaqet në fotografi me dy armë në dorë. Sipas “Bild” armët përputhen me ato të përdorura në Vjenë.

Ai ishte “shumë mirë i përgatitur”

Vrasësi i dyshuar thuhet se ka bërë një foto tjetër me municionet. Ai përdori disa gëzhoja për të formuar fjalët “Baqiyah” në dysheme. Fjala arabe është pjesë e frazës “Dawlatul al-Islam baqiyah wa tatamaddad” (që në shqip përkthehet: Shteti Islamik mbetet dhe po zgjerohet).

Kryetari i Vjenës Michael Ludwig tha se vrasësi i ekzekutuar nga policia kishte qenë i armatosur me një armë të gjatë, një pistoletë dhe një hanxhar. Ai nuk mbante një rrip eksplozivi, siç thuhej fillimisht. Ai ishte “shumë mirë i përgatitur”, tha Ludwig.

15 të plagosur, tre viktima

Siç shpjegoi Michael Ludwig në një intervistë për ORF-në, një grua u shtrua në spital me plagë të rënda. Por ndërroi jetë duke u bërë viktima e tretë nga sulmi. Orë më parë dihej që dy kalimtarë kishin mbetur të vrarë gjatë sulmit terrorist.

Një nga agresorët u qëllua për vdekje nga policia, ndërsa tjetri është ende në arrati. Ludwig foli gjithashtu për 15 të plagosur, shtatë prej tyre rëndë: “Është një krim i tmerrshëm”. Sipas Ministrisë së Brendshme, një oficer policie u qëllua gjithashtu dhe u plagos rëndë. Oficeri 28-vjeçar u operua gjatë natës dhe tani është jashtë rrezikut për jetën.

 VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Heute.at / Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *