Vendosni fjalën kyçe....

Studimi i pacientëve me tumor, Covid-19 ishte në Itali që në shtator 2019


Virusi Covid-19 mund të ketë qenë aktiv në Itali muaj përpara se të zbulohej zyrtarisht për herë të parë, pretendon një hulumtim i ri, duke ngritur pyetje të mëtejshme në lidhje me origjinën e vërtetë, masën dhe kohëzgjatjen aktuale të pandemisë në vazhdim.

Studimi i ri i kryer nga shkencëtarë në Institutin e Kancerit në Milano dhe Universitetin e Sienës, u botua këtë javë nga ‘Tumori Journal’. Hulumtimi bazohet në analizën e mostrave të gjakut nga 959 persona, të mbledhura gjatë testeve të depistimit të kancerit të mushkërive të kryera midis shtatorit 2019 dhe marsit 2020.

Më shumë se 11 përqind e të testuarve – 111 persona – rezultuan të kishin antitrupa specifikë të koronavirusit. Të gjithë njerëzit e testuar ishin asimptomatikë dhe nuk po tregonin ndonjë shenjë të sëmundjes.

Rreth 23 nga rezultatet pozitive datojnë në shtator 2019, duke sugjeruar që virusi ishte në të vërtetë i pranishëm në vend që gjatë verës së kaluar – rreth gjashtë muaj para se të fillonte zyrtarisht pandemia e të arrinte ’në Itali.

Hulumtimi i ri po hap ‘vrima’ të reja në besimin tashmë të goditur se koronavirusi i ri doli nga qyteti kinez i Wuhan rreth dhjetorit 2019 dhe se ai u kthye në pandemi në janar 2020.

Të dhënat nga studiuesit italianë janë veçanërisht të vlefshme, pasi bazohen në mostrat aktuale të gjakut, krahasuar me gjetjet e mëparshme e që sugjerojnë se afati i shpërthimit të pandemisë mund të jetë i gabuar.

Përfundimet e studimit duket të jenë në përputhje me raportet e simptomave të rënda të frymëmarrjes dhe ‘gripit atipik’ në mesin e të moshuarve në Itali në fund të vitit 2019.

Një studim tjetër, botuar nga shkencëtarët italianë në qershor, tregoi se gjurmët e koronavirusit u gjetën në ujin e ujërave të zeza të analizuara qysh në dhjetorin e kaluar.