Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku dhe nënkryetari i LDK-së ka folur në një intervistë në ABC News për veprimtarinë e UÇK-së gjatë luftës, historinë se si nisi konflikti në mbrojtje ndaj sulmeve të Serbisë apo edhe për akuzat ndaj saj.
Lushtaku u ndal edhe për procesin gjyqësor ndaj disa prej krerëve të UÇK-së që po zhvillohet nga dhomat speciale.
Lushtaku u pyet gjithashtu edhe për akuzat ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha kur punonte për UNMIK se ka përpiluar dosje kundër UÇK-së.
Për këtë, ish-komandanti u tha se politika shqiptare nuk duhet të merret me këto që ai i quan “marrëzira”.
Intervista:
Gazetarja: Si nisi lufta?
Lushtaku: Ishin vitet ‘90 kur nxënësit u larguan nga shkolla, kur student u larguan nga universiteti kur punëtorët ishin largu nga fabrikat dhe në Kosovë, gjithçka ishte e bllokuar nga forcat e policisë dhe ushtrisë serbe. Pati demostrata, protesta, të shumta në atë kohë. Ne e formuam një parti politike në atë kohë e quajtur LDK. E cila fillimisht e shtriu autoritetin në tërë Kosovëm, dhe tentoi që me mjete paqësore, t’i zgjidhte problemet në Serbi. Grupe të armatosura kishin dalë në atë kohë, kur LDK ishte në pushtet, dhe kur kishim një qeveri në exile. Filloi grupi i parë, dhe gjithë ata që ishin stërvit në Shqipëri, ikën nga Kosova, dolën jashtë. Kurse grupi i Adem Jasharit. Që kishte ardh në Shqipëri, ish armatos. Kjo garniturë politike kërkoi që Jashari të largohej nga Kosova. Dhe të shkonte jashtë vendit. Por, ai dhe shokët e tij vendosën ndryshe. Sepse kishin bërë stërvitje që t’i dalin zot vendit të vet. Filluan gjeneratat e reja që të organizoheshin dhe largonin të rinjtë nga Kosova…
Gazetarja: A ishte UÇK në atë kohë në një pozicion shumë të vështirë? Duhej edhe të përballej me forcat serbe, por njëkohësisht edhe të mbronte popullsinë civile?
Sami Lushtaku: Ne ishim të atij populli, ishin familjet tona. Problemin më të madh në atë kohë, e kemi pasur edhe popullatën civile, që ishte në gjendje tepër të rëndë…Është dashur vazhdimisht të kujdeseshim për ta, kur kishim mundësi t’i largonim kur kishte ofensiva… Qytetarët edhe UÇK kanë qenë një. Ne pa atë popull nuk kishim munjt as me funksionu
Gazetarja: Këtu në Shqipëri ka pasur disa akuza ndaj kreut të PD, Lulzim Basha për punën në UNMIK dhe në përpilimin e dosjeve të gjykatës së Hagës, keni një koment për këtë?
Lushtaku: “Unë mendoj që politikanët shqiptarë duhet t’i lënë këto marrëzira dhe të jenë më aktivë dhe më afër nesh në Kosovë. Deri më tani asnjë politikan nuk ka ardh në Kosovë që ta bashkëndjejë këtë që i ka ndodh kryetarit të shtetit…Kam prit që një pjesë e institucioneve të qeverisë së Shqipërisë të vijnë në Kosovë, të takohet me ne, dhe deri më tani nuk ka ndodhur. Desha me falenderu, Ervin Salijanin që ishte në Kosovë, e kam prit unë, kemi shkuar tek Varrezat e Dëshmorëve. Dhe desha ta falenderoj që ka ardh e na ka ngushëllu…”
Gazetarja: A e kishit menduar ndonjëherë që do të vinte një ditë që do të bëhej një gjykatë Speciale që do kishte anëtarë të UÇK-së në bankën e të akuzuarit, Lushtaku theksoi që për ta me rëndësi është që Kosova është e pavarur sot.
Lushtaku:“Në atë kohë kemi menduar vetëm vdekjen. E kemi ditur 100 për qind që jemi të vdekur. Për ne me rëndësi është që Kosova sot është e pavarur. Është e dhimbshme që kjo gjykatë, dhe të tjera në Kosovë, sepse ne po konsiderojmë që Serbia ka kryer krimet dhe gjenocidin në Kosovë dhe faturat po i paguajmë ne në Kosovë. Nuk është Hashim Thaçi apo Kadri Veseli, apo Jakup Krasniqi a Rexhep Selimi problem, problem sot është Kosova.”
Sami Lushtaku:“Qëllimi nuk ka qenë asnjëherë qytetarët serbë. Ne nuk kemi desht që ta ndjekim situatën e Milosevic. Ne nuk kemi desht që vuajtjet e fëmijëve e brezave që kanë kalu raste të renda në Kosovë, ta kenë fatin fëmijët serb në Kosovë. Ne duam që shteti i Kosovës të jetë funksional. Ne duam që qytetarët serbë në Kosovë të jetojnë si ne dhe fëmijët tanë në Kosovë.”
Gazetarja:Nëse do viheshit në një pozicion ku ta mendonit, a do bënit të njëjtën gjë si në ‘99?
Sami Lushtaku: “Po, absolut po. As pikë as presje nga ajo që ka ndodh më herët. Jemi të vetëdishëm dhe përgjegjës para asaj që ka ndodhur në Kosovë.”
Gazetarja: Kosova dhe UÇK nuk është hera e parë që përballen me gjykatën e Hagës dhe kanë dalë të pafajshëm. Mendoni që do të përsëritet e njëjta gjë?
Sami Lushtaku: “…Shqiptarët e Kosovës kanë qenë të ethshëm për drejtësi. Sepse kjo na ka mungu….Nuk e kemi prit që pjesëtarët e UÇK, pa argumente dhe pa fakte të dënohen…Në këtë rast, ne kemi pasur disa gjykata në Kosovë…dhe kemi një gjykatë Speciale për krime luftë në Kosovë. Pjesëtarët e UÇK, kanë qenë nëpër gjykata dhe nëpër banka si të akuzum për krime lufte. Mendoj që 90 për qind të tyre kanë qenë të pafajshëm. Edhe unë jam dënuar me 12 vite burg dhe pas katër viteve jam shpallur i pafajshëm. Besoj që kolegët e mi në Hagë, janë të pafajshëm. Ata do kthehen më të fuqishëm seç kanë qenë.”