Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeprokurori i EULEX-it çmonton akuzat ndaj Bashës: Të pavërteta, s’ka qenë i përfshirë në asnjë hetim


Ish-kryeprokurori i EULEX-it, Clint Williamson, ka çmontuar akuzat ndaj kreut të PD-së, Basha, lidhur me hetimet e kryera nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë e Shqipëri për sa i përket krimeve të luftës në Kosovë dhe trafikimit të organeve.

Në një intervistë ekskluzive për Ora Neës, ish-zyrtari i lartë thekson se akuzat ndaj kreut të PD-së, Basha, si i përfshirë në hetimin për trafik organesh janë kategorikisht të pavërteta.

Gjatë intervistës, Williamson thotë se Basha nuk ka qenë i përfshirë në hetimin e kryer nga EULEX-i asokohe, as si ministër i Jashtëm, as në një ndonjë rol tjetër gjatë kohës kur ishte punonjës i UNMIK-ut.

Ish-kryeprokurori i EULEX-it shton gjatë intervistës se autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë shumë bashkëpunuese gjatë hetimit të kryer duke vlerësuar ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Williamson thotë se edhe pse Thaçi mund të ishte një i dyshuar në hetim, kishte qnë bashkëpunues gjatë gjithë kohës e procesit të zhvilluar.

Pjesë nga intervista

Gazetarja: Dua t’ju pyes edhe një herë për zotin Basha sepse dua ta sqarojmë edhe për publikun. Përpara 2014-ës, a ju ka ndihmuar zoti Basha në hetimin tuaj?

Williamson: Jo. Ai nuk ishte i përfshirë asnjëherë në asnjë mënyrë në hetim. Pas vitit 2011 ai ishte Kryebashkiak i Tiranës. Kur kam qenë në Tiranë jam takuar me të, kemi ngrënë darkë por si miq, si ish-kolegë. Ai nuk është përfshirë në asnjë mënyrë në asnjë rol në atë kohë dhe nuk ka pasur fare lidhje me atë që ne po bënim. Pra në lidhje me hetimin ai nuk ishte i përfshirë as si ministër i Jashtëm, as në ndonjë rol gjyqësor edhe kur ishte në UNMIK ai nuk kishte qenë i përfshirë, jo sepse unë nuk kisha besim tek ai, por sepse unë nuk doja ta vendosja atë në një pozicion të vështirë me hetimin. Ai punonte me sistemin gjyqësor të Kosovës dhe me zyrtarë të qeverisë së Kosovës ndaj nuk do ta ngarkoja me ndonjë detyrë pavarësisht nëse ishte Kosovar, Shqiptar apo Serb. Kjo ishte një praktikë normale e asaj kohe dhe unë e kam zbatuar gjatë gjithë kohës.

Gazetarja: Ishte e lehtë për ju të kryenit hetime në Shqipëri dhe si ishte bashkëpunimi me autoritetet shqiptare?

Williamson: Autoritetet shqiptare dhe kosovare ishin shumë bashkëpunuese. Ata e njohin detyrimin e tyre ndërkombëtar dhe faktin se shtetet europiane duhet të angazhoheshin në këtë proçes. Padyshim që për qeverinë e Kosovës kjo nuk ishte diçka e thjeshtë për ta bërë. Duhet vlerësuar ish-kryeministri Thaçi. Ai e kuptoi që ishte përmendur në raportin e Dick Martit dhe me shumë mundësi ishte një i dyshuar në hetim. Pra ne të dy nuk kemi patur ndonjë kontakt direkt gjatë kohës sime si prokuror por ai caktoi zyrtarë të tjerë të qeverisë të punonin me ne. Ne kishim marrëdhënie shumë të mira pune me njëri-tjetrin, shumë profesionale ndonëse për ta nuk ishte një gjë e thjeshtë për ta bërë. Të njëjtën gjë mund të them edhe për qeverinë e Shqipërisë. Ata u treguan shumë profesionistë edhe pse detyrat që ju caktoheshin mund të mos ishin detyra të këndshme.

VINI RE: Citimet marrë nga Oranews

K.Manjani, Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *