Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron jetë pacienti që u hodh nga ballkoni i Infektivit


Një ditë pasi u hodh nga balloni i Spitalit Infektiv, ka ndërruar jetë pacienti 69-vjeçar i infektuar me Covid, Reshat Grembi.

Ai është ndarë nga jeta këtë mëngjes, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 12:30. Pacienti ishte shtruar të hënën në spitalin COVID/1 në kryeqytet.

Vajza e tij Esmeralda Kane ka treguar për mediat se babai i saj kishte qëndruar për orë me radhë në ambulancë jashtë spitalit, e më pas në korridoret e spitalit pa marrë asnjë mjekim.

Ata kishin folur të hënën pas orës 18:00 ku i ati i kishte treguar se më në fund po mjekohej dhe po merrte frymë. Por të nesërmen mori hapin ekstrem duke u hedhur nga ballkoni.

Kushëriri i 69-vjeçarit nga ana tjetër, u shpreh për gazetarët i habitur nga akti ekstrem. Ai ngre dyshime mbi atë farë ndodh brenda spitaleve të Covid.

“Nuk e dimë çfarë i bëjnë atje doktorët, çfarë medikamenti ju japin, se ai kështu ishte në rregull”, thotë Taulant Grembi.

Ky është rasti i katërt në harkun e pak muajve, që një pacient me Covid hidhet nga ambientet e spitalit. Rasti i parë u regjistrua më 13 gusht, ku 29-vjeçari Xhino Koca nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i “Shefqet Ndroqit”.

Në 2 shtator, Hasan Mira, 65 vjeç, u hodh nga kati i katërt i Sanatoriumit vetëm dy ditë pasi ishte shtruar aty. Rasti i tretë u regjistrua në 1 nëntor ku Preng Gjonaj, 52-vjeç u vetëhodh nga ballkoni i spitalit./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *