Vendosni fjalën kyçe....

Vajza e pacientit që u hodh nga spitali: E lanë në korridor pa mjekim


Lajmi se një pacient i infektuar me COVID-19 u hodh nga ballkoni i Spitalit Infektiv tronditi jo pak dje opinionin publik, për shkak se kjo është një ngjarje e përsëritur. Tre persona të infektuar i kanë dhënë fund jetës në këtë mënyrë muajt e fundit.

69-vjeçari Reshat Grembi nga Fieri ishte shtruar në Infektiv vetëm një ditë para se të merrte aktin ekstrem. I moshuari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, gjë e cila është konfirmuar edhe nga të afërmit e tij.

Vajza e 69-vjeçarit Esmeralda Kane, ka folur për “Euroneës Albania” në lidhje me gjendjen e babait të saj.

Ajo  tha se nuk ka marrë asnjë informacion nga mjekët se si është ai.

Zonja Kane tha se babai i saj ka pasur  vetëm temperaturë dhe jo simptoma të tjera. Po ashtu zbuloi se atë e kishin sjellë nga Fieri në Tiranë për shkak të gjendjes së rënduar nga Covidi dhe ka qëndruar për disa orë në korridorin e Infektivit pa marrë asnjë shërbim mjekësor.

“Më informuan dhe erdha. Tani unë dua një sqarim akoma më tepër. Jam jashtë dhe po pres. Baba im nuk ka pasur asnjë simptomë përpara, vetëm thjesht tre ditë me temperaturë. E sollëm nga Fieri deri këtu. Kemi ndenjur nga ora 00:30 deri 08:00 të mëngjesit. Ka ndenjur në korridor nga 08:30 që u fut brenda deri në 15:30 pasdite pa mjekim. Në orën 18:00 e marr përsëri dhe më thotë: ‘Babi më kanë futur nën efektin e mjekimit. Ndihem mirë.’

E marr përsëri sot nga ora shtatë e mëngjesit, dhe më thotë se ‘nuk kam fuqi të flas dhe po vdes nga frymëmarrja’. Nuk na është thënë asgjë. Ne thjesht erdhëm dhe kemi ndenjur nga ora 00:00 deri në 08:00 të mëngjesit të djeshëm. Nuk kemi asnjë lloj ndihme, vetëm kemi qëndruar me mjekun që na ka shoqëruar nga Fieri deri këtu”, tha ajo.

Vajza u shpreh se babai i saj përveç tensionit nuk vuan nga asnjë sëmundje tjetër. E pyetur se përse mendon se babai i saj ka marrë një akt aq ekstrem, ajo tha se nuk ka asnjë ide.

“Nuk e di, kjo është një gjë e pabesueshme babai nuk vuante nga asnjë gjë, por thjesht nga tensioni. Asgjë tjetër. Ai donte të mjekohej në spitalin e Fierit dhe spitali e nisi për këtu. Ne kërkojmë ndihmë më të specializuar.”, shtoi ajo. Më pas shtoi se nuk e besonte dot që i ati ishte hedhur nga ballkoni i Infektivit.

Ky është rasti i katërt në harkun e pak muajve, që një pacient me Covid hidhet nga ambientet e spitalit. Rasti i parë u regjistrua më 13 gusht, ku 29-vjeçari Xhino Koca nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i “Shefqet Ndroqit”.

Në 2 shtator, Hasan Mira, 65 vjeç, u hodh nga kati i katërt i Sanatoriumit vetëm dy ditë pasi ishte shtruar aty. Rasti i tretë u regjistrua në 1 nëntor ku Preng Gjonaj, 52-vjeç u vetëhodh nga ballkoni i spitalit. Të tre kanë ndërruar jetë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *