Vendosni fjalën kyçe....

Berisha denoncon Ramën: Armiku më i egër i veriut pas Enver Hoxhës e Car Dushanit, asnjë verior s’mund t’i japë votën


Ish-kryeministri Berisha tha nga Bajram Curri se zgjedhjet e 14 majit janë shumë më tepër se vendore pasi janë kundër kryeministrit Rama që ka marrë në dorë të gjitha pushtetet e po i përdor kundër qytetarëve.

Gjatë prezantimit të kandidatit të opozitës Besnik Dushaj, ai tha se qeverisja e Ramës e ka zbrazur Tropojën e gjithë Shqipërinë si asnjë pushtues.

Ai e akuzoi kryeministrin Rama se bashkë me Enver Hoxhën e Car Dushanin janë armiqtë më të egër të veriut të Shqipërisë.

“Këto zgjedhje janë shumë më tepër, janë shumë më tepër se zgjedhje për qeveri vendore. Janë zgjedhje kundër një njeriu që ka pushtuar, ka marrë në dorë të gjitha pushtetet dhe i përdor kundër qytetarëve. Kundër një njeriu që ka zbrazur Tropojën si asnjë pushtim. Ka larguar çdo institucion. Kundër një njeriu, që javën e parë që erdhi në pushtet, preu ndihmën ekonomike për qarkun e Kukësit në 20 mijë familje. Një racist i egër! Preu ndihmën ekonomike vetëm pse nuk e votuan në vitin 2013. Tropoja dhe veriu, ia them përsëri, kanë te Edi Rama pas Enver Hoxhës dhe Car Dushanit, armikun më të egër, racistin më të papërmbajtur. Asnjë verior nuk mund t’i japë votën atij. Edi Ramës nuk i jepet vota. U them socialistëve të Tropojës se kam respekt për ta, për qëndrimin në opozitë siç kam qëndruar edhe vetë. Por nuk i jepet vota atij që i thotë se e kam sivëlla Vuçiçin dhe kundërshtar Albin Kurtin.” – tha Berisha.