Vendosni fjalën kyçe....

Meta pret Dendias-in: Çështja e detit sipas OKB-së e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë


Pas takimit me kryeministrin Rama, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dendias, është pritur nga presidenti Meta.

Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet Shqipëri-Greqi si ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe theksoi se këto marrëdhënie duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, të lidhura nga interesat strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO, perspektiva e përbashkët europiane dhe interesat ekonomike të të dy vendeve.

Meta e falënderoi ministrin Dendias për solidaritetin dhe mbështetjen e Greqisë në rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për bashkëpunimin në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.

Në lidhje me çështjen e delimitimit të hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, presidenti i Republikës theksoi se ai ka inkurajuar dhe do të inkurajojë që ajo të trajtohet përmes një dialogu të sinqertë dhe respekti reciprok, duke synuar një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme.

 “Marrëveshja për këtë çështje të rëndësishme duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me legjislacionin e të dy vendeve dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.” – theksoi Meta.