
Viktor Orbán, kryeministri në largim i Hungarisë, ka deklaruar se nuk do e marrë mandatin e tij në parlament pasi partia e tij pësoi një humbje dërrmuese që i dha fund sundimit të tij 16-vjeçar.
“Unë tani nuk jam i nevojshëm në parlament, por në riorganizimin e lëvizjes patriotike,” tha ai në një deklaratë video të publikuar në rrjetet sociale të shtunën në mbrëmje.
Pavarësisht se partia e tij nacionaliste Fidesz ra nga 135 në 52 vende në zgjedhjet e 12 prillit, Orbán u rizgjodh si deputet përmes listës proporcionale.
Partia Tisza, e drejtuar nga ish-anëtari i Fidesz-it, Péter Magyar, fitoi më shumë se dy të tretat e vendeve në parlamentin me 199 ulëse, duke hapur rrugën për një riformatim të politikave të brendshme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Hungarisë.
Pas një takimi me drejtuesit e Fidesz-it, Orbán, 62 vjeç, tha se grupi parlamentar i partisë do drejtohet nga e hëna nga Gulyás Gergely, i cili deri tani ka qenë ministër për zyrën e kryeministrit.
“Mandati që kam marrë si kandidat kryesor i listës së Fidesz-KDNP është, në fakt, një mandat parlamentar i Fidesz-it. Për këtë arsye, kam vendosur ta kthej atë,” tha Orbán.
Rreth gjysma e vendeve në parlamentin hungarez ndahen mes partive sipas përqindjes së votave në nivel kombëtar, ndërsa gjysma tjetër përfaqëson zona elektorale individuale.
Orbán ka mbajtur një vend në parlament në një formë apo tjetër që nga viti 1990 dhe ka drejtuar Fidesz-in gjatë gjithë kësaj periudhe. Ai ka shërbyer si kryeministër që nga viti 2010, duke u bërë figura dominuese në politikën hungareze, shkruan BBC.
Kryeministri i ardhshëm ka premtuar të përmbysë ndryshimet e epokës së Orbán në arsim dhe shëndetësi, të luftojë korrupsionin e të rikthejë pavarësinë e gjyqësorit.