Vendosni fjalën kyçe....

Meta në 75-vjetorin e OKB-së: Integrimi në BE, prioriteti strategjik i Shqipërisë


Presidenti Meta ka mbajtur fjalën e tij përshëndetëse në 75-vjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit theksoi se falë ekzistencës së OKB-së, bota ia ka dalë mbanë të parandalojë konflikte të mëdha ushtarake e të pakësojoë vuajtjet njerëzore.

Meta shtoi më tej se pandemia Covid-19 e ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore e ekonomike, pasojat e së cilës do ndihen edhe për shumë vite e do kenë pasoja të paparasikueshme në paqen e sigurinë globale.

“Përgjigja globale ndaj pandemisë së koronavirusit e ka vënë në provë multilateralizmin si dhe ka ekspozuar kufizimet e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare. Ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu edhe pasojat alarmuese të bashkëpunimit jofunksional botëror.” – tha ndër të tjera Meta.

Presidenti falënderoi vendet që iu gjendën pranë Shqipërisë për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 si dhe OBSH-në për ndihmën e saj lidhur me pandeminë Covid-19.

Po kështu Meta përmendi bashkëjetesën fetare si një element dallues të kombit shqiptar e po kështu mbrojtjen e hebrejve gjatë Holokaustit.

“Kjo trashëgimi e çmuar e tolerancës ndërfetare dhe kulturore përcakton se cilët jemi ne si komb. Historia e jashtëzakonshme se si shqiptarët rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit është një tregues dhe shprehje e jashtëzakonshme e frymës sonë të tolerancës, dhembshurisë dhe respektit ndaj të tjerëve.” – shtoi Meta.

Presidenti tha më tej se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë. Meta tha se është i vetëdijshëm se vendi duhet të përmbushë standartët e kërkuara para konferencës së parë ndërqeveritare.

“Ky proces kërkon një bashkërendim përpjekjesh në nivelin kombëtar, të udhëhequra me vendosmëri nga qeveria, që do të na çojë drejt reformave të mirëfillta dhe të qëndrueshme. Ky angazhim i ripërtërirë pritet të prodhojë rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve kryesore që lidhen me funksionimin demokratik dhe me sundimin e ligjit, të cilat duhet të pasqyrojnë konsensusin politik ndërpartiak dhe t’i shërbejnë njëkohësisht stabilitetit të përgjithshëm të vendit tonë.” – vijoi Meta.

Në fund kreu i shtetit përshëndeti marrëveshjen e nënshkruar në Uashington me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Trump, mes Kosovës e Serbisë.

“Ne e mirëpresim marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u ndërmjetësua dhe u garantua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Mbetemi shpresëplotë se kjo marrëveshje do të injektojë një dinamizëm të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja vendet duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme të njohjes reciproke si dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes tyre. Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është një eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.” – mbylli fjalën e tij Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *