Vendosni fjalën kyçe....

Nga e diela, ndalohet shkarkimi i TikTok-ut dhe WeChat-it në SHBA


TikTok dhe WeChat do të ndalohen në SHBA duke nisur nga e diela, përveç në rast se presidenti Donald Trump bie dakord për një marrëveshje në minutën e fundit.

Departamenti i Tregtisë tha se vendimi i presidentit do të ndalojë njerëzit në SHBA të shkarkojnë aplikacionet kineze të TikTok dhe WeChat përmes çdo dyqani aplikacionesh në çdo platformë.

Administrata e Trump-it thotë se dy kompanitë kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe mund t’i kalojnë të dhënat e përdoruesve në Kinë. Por Kina dhe të dy kompanitë e mohojnë këtë.

WeChat do të mbyllet efektivisht në SHBA të dielën, por njerëzit do të jenë akoma në gjendje të përdorin TikTok deri në datën 12 Nëntor, kur gjithashtu mund të ndalohet plotësisht.

TikTok tha se ishte “i zhgënjyer” nga vendimi dhe nuk ishte dakord me departamentin e tregtisë, duke thënë se ishte zotuar tashmë për “nivele të papara të transparencës shtesë”.

“Ne do të vazhdojmë të sfidojmë urdhrin e padrejtë ekzekutiv, i cili u miratua pa proces të rregullt dhe kërcënon të privojë popullin Amerikan dhe bizneset e vogla në të gjithë SHBA-ne nga një platformë e rëndësishme si për zërin ashtu edhe për jetesën.”

Tencent – pronari i WeChat – tha se kufizimet ishin “për të ardhur keq”, por tha se ata do të vazhdonin bisedimet me qeverinë e SHBA-ve “për të arritur një zgjidhje afatgjatë”.

Nëse miratohet nga presidenti Trump një partneritet midis firmës së teknologjisë amerikane Oracle dhe pronarit të TikTok-ut që është ByteDance, aplikacioni nuk do të ndalohet.

Trump u tha gazetarëve të premten se ai besonte se mund të kishte një marrëveshje mbi TikTok-un “shpejt“, duke shtuar se ndërsa SHBA-të kishin nevojë për “siguri nga Kina”, TikTok-u ishte “një kompani e mahnitshme, shumë e njohur”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *