Vendosni fjalën kyçe....

AKSHI, gropa e madhe publike që duhet mbyllur urgjentisht


Blog-Autor: Klodian Tomorri

Denoncimi i PD-së sot për transaksionet mes një kompanie private dhe një grupi mediatik ka disa fakte interesante.

Së pari, një kompani që nuk bën fare punë private, por faturon vetëm nga tenderat e qeverisë, paguan 1 miliard lekë reklamë për një vit e gjysmë vetëm tek një media.

Pyetja e parë që lind është; për çfarë i duhet një kompanie që ka klient vetëm shtetin të paguajë 1 miliard lekë reklamë?

Reklamë bën një kompani që kërkon treg ose prezanton produkte të reja, jo një biznes, i cili i shet vetëm qeverisë. Pra kjo është indicia e parë për transaksione të dyshimta ose përfitues fundorë të fshehur.

Së dyti, më parë vetë kompania, si reagim ndaj akuzave të PD-së, ka deklaruar se që nga nëntori i vitit të kaluar e deri tani ka fituar vetëm 1.5 miliarde lekë tendera gjithsej. Kjo do të thotë se mbi 65 për qind e totalit të të ardhurave që ka arkëtuar kompania kanë shkuar për reklamë vetëm në një grup mediatik. Sipas faturave të bëra publike nga PD, shifra ishte gati 1 miliard lekë nga shtatori 2019 deri në mars 2020.

Tani, se sa shpenzon një kompani private për reklamë është punë e saj. Se ku i shpenzon paratë është prapë punë e saj. Se sa tendera fiton, prapë është meritë e saj për sa kohë tenderat janë të ligjshëm. Por pyetja që lind këtu është, sa e kanë normën e fitimit tenderat e AKSHI-t, që një kompani, e cila bën biznes vetëm me AKSHI-n, arrin të shpenzojë 70 për qind të faturimeve vjetore për reklamë?

Llogaria këtu është e thjeshtë. Tenderat e AKSHI-t janë një gropë e madhe e fëlliqur që tret paratë publike, herë me procedura sekrete dhe herë me procedura formalisht të hapura. Nuk ka shpjegim tjetër. Dhe AKSHI tenderon mbi 100 milionë euro në vit, ndaj kjo gropa duhet mbyllur urgjentisht.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *