Vendosni fjalën kyçe....

Rinisin aplikimet për kartat e identitetit e pasaportat, prenotimi i datës online


Kanë nisur aplikimet për kartat e identitetit e pasaportat, pas një ndërprerjeje disajavore për shkak të pandemisë.

Njoftimin e ka dhënë ministri i Brendshëm, Lleshaj, i cili tha se të gjithë ata që kanë aplikuar më herët për një të tillë mund të paraqiten për ta tërhequr atë.

Ai ka theksuar gjithashtu se aplikimi për dokumentet e reja duhet të bëhet me prenotim paraprak për të shmangur radhët e gjata.

Lleshaj tha se aplikacioni për këtë do jetë i gatshëm që nga java tjetër me anë të të cilit ata mund të prenotojnë ditën dhe orën e aplikimit.

“Pas ndërprerjes për disa kohë të aplikimeve për kartat e identitetit dhe pasaportat, tashmë në kuadër të masave lehtësuese të shërbimeve, ka filluar puna për aplikimet edhe për kartat e identitetit, edhe për pasaportat, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka vazhduar edhe shpërndarja e pasaportave dhe kartave të identitetit të prodhuara për qytetarët.

E theksoj këtë pasi ka pasur shumë pyetje dhe kërkesa nga qytetarët, të cilët ende nuk janë informuar, ndaj dua të shfrytëzoj këtë mundësi sot për të thënë që të gjithë ata, që kanë aplikuar për një kartë apo pasaportë, mund të paraqiten për tërheqjen e saj, pasi të lënë orarin përkatës të takimit me zyrat e shpërndarjes së këtyre dokumenteve. Ndërkohë që ka filluar aplikimi për karta ID dhe pasaporta të reja, aplikim i cili kryhet pranë zyrave të koncesionarit dhe pranë zyrave të Komisariateve të Policisë.

Dua të theksoj që për të evituar radhët dhe për të evituar mundësinë e infektimit me virusin COVID-19 është menduar që aplikimi të bëhet vetëm pas caktimit të orarit përkatës të kohës së paraqitjes së qytetarëve pranë zyrave të aplikimit.

Dhe për këtë, duke filluar nga java tjetër do të jetë në dispozicion një aplikacion, i cili u mundëson qytetarëve, të aplikojnë duke caktuar paraprakisht orarin e paraqitjes pranë zyrës përkatëse, në Komisariatin e Policisë apo pranë koncesionarit ku aplikohet për pasaporta. Theksoj edhe njëherë se është e rëndësishme që paraqitja pranë zyrave të bëhet vetëm pasi është bërë aplikimi dhe pasi është marrë orari përkatës, përndryshe nuk do të ofrohet shërbim, pa këtë kusht të plotësuar.” – shkruan Lleshaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *