Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, i bën thirrje SPAK-ut që të hetojë me përparësi akuzën e PD-së lidhur me tenderin e ushqimeve.
Ajo shkruan se e mirëpret këtë padi pasi qytetarët kanë nevojë për qartësi.
Ministrja i cilëson akuzat e selisë blu si një shpikje të modelit Babale për të sabotuar luftën kundër armikut të padukshëm.
“E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparësi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion. Por është po aq e ulët e imorale në qoftë se opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit ‘Babale’ në një përpjekje për të sabotuar luftën, e minuar përpjekjen tonë të përbashkët për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm!
I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales”, shkruan Xhaçka.