Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzimi i qeverisë Kurti, reagojnë deputetët e CDU/CSU-së


Pas rezultatit për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurti, vjen një reagim nga tre deputetë të grupit parlamentar gjerman CDU/CSU.

Në deklaratën e shqipëruar nga Deutsche Welle, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, si edhe dy raportuesit për Kosovën, Peter Beyer (CDU) dhe Christian Schmidt (CSU), kërkojnë krijim sa më të shpejtë të qeverisë së re. 

“Në këtë kohë të vështirë, Kosovës i duhet urgjentisht një qeveri e aftë për veprim dhe për vendimmarrje. Të gjithëve që janë përgjegjës në Kosovë, parlamenti, qeveria dhe presidenti, u bëhet thirrje të japin ndihmesën e tyre për qëndrueshmërinë e veprimtarisë së qeverisë. Duke vijuar punën e saj në në mënyrë konsekuente, qeveria duhet të rifitojë besimin që ka humbur kohët e fundit“.– thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Deputetët gjermanë formulojnë edhe disa prioritete për qeverinë e re, siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimi i trajtimit të krimeve të luftës, heqjen e tarifave ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, dhe  vijimin e dialogut me Serbinë. Prej kësaj të fundit, ata kërkojnë edhe që të heqë dorë nga lobimi për mosnjohjen e Kosovës.