Vendosni fjalën kyçe....

“Ke marrë pronë me 1 euro që pronarët ia dhanë shtetit” – Bylykbashi debaton me Bollinon për çështjen “Partizani”


Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe botuesin i medias Report Tv, Carlo Bollino zhvilluan një debat në emisionin “Top Story” në Top Channel mbi çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Bylykbashi tha se Bollino është në konflikt interesi për çështjen ‘Partizani’, pasi akuzohet se ka marrë me 1 euro një objekt që ndodhet mbi pronën që familjet pronare ja kanë dhënë shtetit.

Pjesë nga debati:

Bylykbashi: Zoti Bollino, po jua them që tani që juve jeni në konflikt interesi për këtë bisedë që po bëjmë ne.

Bollino: Unë, apo ju personalisht që keni firmosur një urdhër skandaloz.

Bylykbashi: Po ja them edhe njëherë zotit Bollino atë që unë ja kam thënë SPAK-ut. Ja kam thënë edhe para dy vitesh në një emision si ky, nëse ai raport, që është një ndër raportet më të thjeshta që ka bërë ai departament, sepse ishte konstatim aktesh që kishin ndodhur dhe dilte një general që thoshte “unë e kam për detyrë ta marrë në dorëzim” sepse e pranonte që kishte urdhër që në 2006-ën, dhe në 2009-ën thoshte “kam bërë edhe veprime”, pra nuk kishte kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të ministrit, por “nuk e kam marrë në dorëzim akoma”.

Duma: Po pse?

Bylykbashi: Thoshte edhe këtë “kam shkuar ta marrë në dorëzim, por klubi sportiv ‘Partizani’ kompani private më ka përzënë dhe nuk më ka lënë”. Pra ky gjeneral nuk kishte thirrur policinë ushtarake që të vendoste ligjin në vend dhe pastaj ta mbante shteti atë pronë, askush tjetër.

Që në 2006-ën, s’kishte nisur akoma privatizimi, duhet ta merrte në dorëzim komanda e mbështetjes logjistike, por nuk e merrte. Bënte veprime dhe i linte përgjysmë. Unë besoj se ishte me sfond korruptiv.

Bollino: Tani pse qenkam unë në konflikt interesi.

Bylykbashi: Ta shpjegoj më vonë, por s’ke për të folur.

Bollino: Jo ma shpjego tani. Ti je në konflikt interesi jo unë. Ç’lidhje kam unë me prona.

Bylykbashi: Unë po them një gjë, sot ai raport firmosësh me një diferencë të vogël. Nuk kishte masë disiplinore të papërcaktuar.

Bollino: Jo, zoti Bylykbashi ta sqarojmë tani pse jam unë në konflikt interesi se për ndryshe unë nuk vazhdoj në emision. Ti je duke më akuzuar për një gjë skandaloze, si qenkam unë në konflikt interesi. Na shpjego se ndryshe nuk flasim më, për çfarë do të flasim.

Bylykbashi: Raporti i 2015-ës i OHDIR-it thotë një gjë, pavarësia e medieve cenohet…

Curri: Pse nuk i thua drejtpërdrejtë që je në konflikt me Berishën.

Bylykbashi: Jo more, atë e ka ai.

Bollino: Si je në konflikt me Berishën? Çfarë konflikti kam unë me Berishën?

Curri: A nuk keni gjyqe penale e civile me njeri tjetrin?

Bollino: Gjyqe penale e civile, unë e kam paditur për shpifje dhe kam fituar.

Bylykbashi: Konflikte që mund të jenë në familje, s’po i hyjë fare kësaj çështje.

Bollino: Pse çfarë konflikti në familje kam unë?

Bylykbashi: Po nuk e di more se s’po hyjë tek kjo.

Bollino: Të lutem ma shpjego se çlidhje kam unë me akuzën për kompleksin “Partizani”?

Bylykbashi: Ke një akuzë në këtë moment, që është interesante nëse do ta hetonte SPAK-u se…

Bollino: Ka një akuzë ndaj meje?

Bylykbashi: Ka një akuzë publikisht…

Bollino: Nga kush PD, Berisha, ju…

Bylykbashi: Do ta shpjegosh ti atë. Jua kam thënë edhe para dy vitesh që nëse unë do ta kisha në dorë juve do t’iu ishte hequr ajo pronë që keni sot. Juve akuzoheni se keni marrë me 1 euro një objekt që ndodhet mbi pronën që këto familje pronare ja kanë dhënë shtetit.