Vendosni fjalën kyçe....

Meta apel autoriteteve për koronavirusin: Të zbatohet “zonat e kuqe” si në Itali, të vihet në dispozicion financimi i plotë


Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka bërë një apel për menaxhimin e situatës së koronavirusit në Shqipëri pas shpërthimit të rasteve në vendin fqinj.

Meta ka kërkuar që të aplikohen masa njësoj si në Itali me “zonat e kuqe. Gjithashtu, Presidenti ka bërë apel për shtimin e financimit për arritjen e kushteve higjeno-sanitare.

Apeli i plotë i Kreut të Shtetit:

Kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e koronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta.

Në 31 janar të këtij vitit kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëhere Italia kishte vetëm 2 të prekur nga koronavirusi. Sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje.

Duke vlerësuar:
– kete situatë shumë serioze epidemiologjike rajonale;
– faktin që situata në Itali është rënduar duke kapërcyer edhe “Zonën e kuqe”, me përshkallëzim në të gjithë territorin e saj me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, dhe imponuar marrjen prej saj të masave shumë të forta kufizuese;
–  rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi;
– shfaqjen e rasteve të koronavirusit edhe në vende të tjera të rajonit tonë që rezultonin te paprekura;
– në informacionin që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet serioze që ai paraqet;

Apeloj:

  • Është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike;
  • Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24;
  • Vënien në dispozicion të financimit të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjeksor të mobilizuar për përballimin e situatës;
  • Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjenës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv”. 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *