Vendosni fjalën kyçe....

PD i prezanton biznesit të mesëm e të vogël planin e ringritjes së ekonomisë


Partia Demokratike ka prezantuar planin për ringritjen e ekonomisë, sidomos biznesin e vogël e të mesëm që sipas selisë blu po përballet me një situatë tejet të vështirë.

Eksperti i ekonomisë dhe drejtori i kabinetit në PD, Dorjan Teliti, tha se xhirot e biznesit janë përgjysmuar duke thënë se selia blu do i heqë të gjitha taksat duke u lënë kompanive të paguajnë vetëm tatimin e 0.5% të xhiros vjetore.

Ai e bëri deklaratën pas takimit me përfaqësuesit e biznesit e vogël e të mesëm.

‘Sapo përfunduam takimin me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm, shoqatën e biznesit të vogël të Shqipërisë ku kemi diskutuar mbi hallet dhe problematikat të cilat po përjeton biznesi i vogël dhe i mesëm i Shqipërisë jo sot, jo dje por gjatë 6 viteve të qeverisjes së PS.’ – tha Teliti.

Më tej ai shtoi se një pjesë biznesesh kanë ulur xhiron me 5 herë dhe kjo për shkak të politikave të gabuara të qeverisë, çmimi të lartë të energjisë, çmimi i rritur i karburantit, çmimi i ujit, i faturave tatimore e të tjera barra fiskale.

‘Biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri e kudo është zemra e çdo ekonomie dhe po përjeton sot një situatë tejet të vështirë. Bizneset po falimentojnë, po mbyllen me dhjetëra biznese çdo ditë, çdo mëngjes me dhjetëra biznese nuk hapin më qepenat e tyre. Jemi në vitin 2019, jemi 29 vite nga hapja e tregut të lirë në ekonominë shqiptare por fatkeqësisht tranzicioni vazhdon të ekzistojë në tryezat e familjeve dhe të bizneseve dhe ne sot përballemi me një situatë e cila është alarmante. I kemi parashtruar shoqatës së biznesit të vogël dhe vizionin tonë për sa i përket mbështetjes së biznesit të vogël, e cila duhet të jetë tashmë një prioritet absolut kombëtar për sa i përket zhvillimit ekonomiko social të vendit tonë, në mënyrë që ne të ringjallim shpresën dhe të gjallërojmë ekonominë shqiptare.’ – shtoi Teliti.

Përfaqësuesi i PD-së prezantoi planin e selisë blu për rimëkëmbjen e biznesit të madh e të vogël, duke nisur nga ulja e detyrimeve tatimore dhe taksave.

‘Çdo biznes me xhiro vjetore deri në 140 mijë dollarë në vit, ose thënë ndryshe 350 dollarë në ditë do të paguajë zero TVSH dhe zero tatim-fitim të thjeshtuar mbi biznesin e vogël. Do të paguajë vetëm 0.5 % të xhiros, taksë fikse vjetore. E thënë ndryshe, akoma dhe më qartë: një biznes i cili bën xhiro 20 milionë lekë të vjetra në vit do të paguajë taksë vjetore 100 mijë lekë të vjetra. Një biznes i cili bën xhiro 50 milionë lekë të vjetra në vit do të paguajë taksë vjetore 250 mijë lekë të vjetra, një biznes i cili bën xhiro vjetore 100 milionë lekë të vjetra në vit do të paguajë vetëm 500 mijë lekë taksë vjetore dhe kaq mbaron këtu. S’do të ketë më as taksa lokale, as taksa bashkiake, as taksa qendrore. Të tëra do të jenë në masën totale 0.5 % të xhiros.’, vijoi më tej Teliti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *