Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim i fuqishëm gjatë shkarkimit të grurit në portin turk (Video)


Të paktën 10 persona janë plagosur në një shpërthim në portin Derince në Turqi, tha guvernatori i rajonit për mediat vendase. Shpërthimi u kap në video dhe u përshkrua nga dëshmitarët si një ‘tërmet i fuqishëm’.

Shpërthimi ndodhi mesditën e së hënës, me kryebashkiakun e Derince, Zeki Aygün, duke u thënë mediave se ai e kishte origjinën në një bllok të kapanoneve të grurit në pronësi të qeverisë. Guvernatori i Kocaelit Seddar Yavuz tha se 10 persona u plagosën, me dy në gjendje të rëndë.

Pamjet e kamerave të sigurisë kapën momentin e shpërthimit, i cili shpërndau mbeturina në një kantier mallrash aty pranë. Videoja e xhiruar nga larg tregonte një re tymi dhe pluhuri që ngrihej mbi port pas shpërthimit.

 

I ndodhur rreth 90 kilometra në lindje të Stambollit në provincën e Kocaelit, Derince është një nga portet e pakta detare në Turqi që operohet tërësisht nga qeveria.

Derince është një qendër transporti drithërash dhe merrte dërgesa të rregullta drithi nga Ukraina, derisa marrëveshja e drithit në Detin e Zi skadoi muajin e kaluar.

Yavuz tha se shpërthimi ndodhi ndërsa gruri po transferohej nga një anije në një kapanon dhe mund të ishte shkaktuar nga ‘ngjeshja’. Sipas të dhënave të drejtpërdrejta nga MarineTraffic.com, një anije transporti me flamurin e Ishujve Marshall është aktualisht e ankoruar pranë kapanoneve.

13 nga 16 kapanone në port u dëmtuan nga shpërthimi, thanë autoritetet provinciale. Shërbimet e urgjencës po punojnë ende në vendngjarje, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.