Vendosni fjalën kyçe....

“Fotoja me Ulsi Manjën, Kraja hetues i komunizmit”, Bardhi: Prokurorët të sqarojnë pozicionin, SPAK-u po vihet në dyshim


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar se SPAK-po i cënohet besueshmëria për shkak të prokurorëve të zgjedhur.

Bardhi ka përmendur dy raste lidhur SPAK, ku ka kërkuar që porkurorët të sqarojnë qëndrimin e tyre lidhur me 2 fakte të veçuara si ajo e fotos së një prokurori me deputetin socialist Ulsi Manja dhe tjetra lidhur me Arben Krajën i cili ka qenë hetues në periudhën komuniste.

Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka komentuar procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të prokurorëve të SPAK, duke patur bindjen se integriteti i kësaj strukture duhet të ruhet në çdo rast.

Por Partia Demokratike nuk mund të qendrojë indiferente ndaj 2 fakteve të rënda, të bëra publike nga media online, që venë në dyshim serioz integritetin e kësaj strukture! Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit.

Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja”-tha Bardhi, ndërsa kërkoi nga prokurorët të sqarojnë pozicionin.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka komentuar procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të prokurorëve të SPAK, duke patur bindjen se integriteti i kësaj strukture duhet të ruhet në çdo rast.

Edhe pse disa prej anëtarëve janë zgjedhje ekskluzive e Qeverisë dhe i kanë shërbyer Partisë Socialiste, ne zgjodhëm të japim mbështetje publike për të gjithë trupën, pa i paragjykuar, duke patur si objektiv strategjik ruajtjen e integritetit të SPAK-ut dhe moscënimin e besimit të publikut tek kjo strukturë, sepse përmes së cilës u është premtuar shqiptarëve lufta kundër krimit të organizuar dhe ndëshkimi i korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare.

Por Partia Demokratike nuk mund të qendrojë indiferente ndaj 2 fakteve të rënda, të bëra publike nga media online, që venë në dyshim serioz integritetin e kësaj strukture!

Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit.

Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist”nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS.

Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja. Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP.

Duke marrë shkas nga këto dy fakte të rënda, Partia Demokratike kërkon fuqimisht nga partnerët tanë SHBA dhe BE, që t’i përmbahen garancisë që i kanë dhënë popullit shqiptar për të siguruar pavarësinë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Çdo e dhënë që ul besimin e publikut tek SPAK nuk ndihmon në forcimin e integritetit dhe paanshmërisë së kësaj strukture.

Ruajtja e besimit të publikut është jetike për të garantuar suksesin e SPAK dhe për të bërë realitet pritshmërinë e publikut për të luftuar pandëshkueshmërinë në rradhët e zyrtarëve të lartë.

Në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eleminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në  dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK.

Mbi interesin personal dhe politik, në këtë moment, duhet të prevalojë, nevoja për të ruajtur të paprekur imazhin, integritetin dhe besimin tek SPAK.

Drejtësia e re nuk mund të bëhet as me hetues të kohës së komunizmit dhe as me shërbëtor të rinj politik të partisë në pushtet.

Partia Demokratike rikonfimon edhe njëherë mëbshtetjen e plotë për SPAK, duke besuar se me ngritjen e kësaj strukture Shqipëria ka një shans të ri dhe real, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.  Por që kjo të arrihet, duhet domosdoshmërisht që SPAK të pastrohet nga çdo hije dyshimi mbi integritetin e anëtarëve në përbërje të saj.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *