Enti Federal i Mjedisit ka gjetur thuajse te të gjithë fëmijët e kontrolluar mbetje plastike. Disa syresh janë të dëmshme për shëndetin. Gjithsej janë kërkuar 15 lëndë plastike te ndryshme te 2500 fëmijë.
Studimi bazohet në analiza të bëra në periudhën 2003-2017. Rezultati i tyre është alarmues: “Mbeturinat e 11 lëndëve plastike janë gjetur në urinën e 97 përqind fëmijëve. “Kjo, sigurisht, është dramatike. Lëndë të tilla nuk duhet të gjenden në trupat e fëmijëve”, tha zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Të Gjelbërve në Bundestag, Bettina Hoffmann. Veç kësaj, lëndë të tilla, që dëmtojnë hormonet, supozohet të luajnë një rol nxitës në të ashtuquajturat sëmundjet e civilizimit, siç janë obeziteti, çrregullimet e fertilitetit, kanceri dhe vonesat në zhvillim.
Më të vegjlit janë më të prekurit
Studimi citohet në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje të grupit parlamentar “Të Gjelbrit” për dëmtimin e popullsisë nga mbetjet kimike. Ai nxjerr në pah se se sa më i lartë të jetë prodhimi i lëndëve plastike, aq më shumë gjenden ato në trupat e fëmijëve, i tha bashkautorja e studimit, Marike Kolossa-Gehring, revistës së përjavshme, DerSpiegel.
Sipas saj, grupmosha më e ndjeshme është ajo e fëmijëve parashkollorë. “Është e papranueshme që çdo i katërti fëmijë – midis moshave tre dhe pesë vjeçare – të ketë aq shumë mbeturina plastike në trup, sa të mos përjashtohet me siguri rreziku i dëmit nga këto lëndë toksike,” ankohet Hoffmann.
Më shqetësueset janë sidomos nivelet e larta të acidit perfluorooctanoic (PFOA). Ai përdoret, për shembull, për veshjet e aktiviteteve në natyrë. Sipas Agjencisë Federale të Mjedisit, kjo lëndë dëmton fertilitetin dhe mëlçinë. Vitin e ardhshëm, ky acid do të jetë i ndaluar në të gjitha vendet e BE-së.
Familjet më të varfra janë më të prekura
Në këtë studim, Agjencia Federale e Mjedisit ka pyetur edhe për ambientin në të cilin jetojnë fëmijët, se a jetojnë buzë një rruge me shumë trafik, a pihet duhani në shtëpi, cilat prodhime përdoren më shpesh në jetën e përditshme, për shembull, a përdoren detergjentë të ashpër në pastrim ose zbutës pas larjes së rrobave, çfarë lëndësh përdoren në shtëpi për mbulesa, perde apo qilima. Rezultati: te fëmijët që rriten në familje të varfra janë gjetur më shumë mbetje plastike se te fëmijët me një status të lartë shoqëror.
Nga këndvështrimi i të Gjelbërve, këtu nevojitet ndërhyrja e politikës. Nuk mjafton përpjekja e konsumatorëve të shmangin përdorimin e panevojshëm të plastikës. “Askush nga ne nuk mund të mbrohet vetë nga ky rrezik”, thotë Hoffmann. “Ne nuk e dimë se ku janë këto lëndë. Prandaj politika duhet të marrë përsipër t’i ndalojë këto lëndë në treg.
Edhe pas shume kohe ende ne trup
Se sa e rëndësishme është që lëndë të tilla të dëmshme të hiqen nga qarkullimi, këtë e dëshmon edhe një tjetër rezultat i studimit afatgjat të Entit Federal të Mjedisit. Në trupat e fëmijëve janë gjetur edhe mbeturina plumbi ose të një pesticidi të ndaluar prej shumë kohësh, DDT, megjithëse në periudhën e studimit, 2003-2017, ndotja me këto lëndë ka qenë shumë e ulët. Por shumë shpesh, derisa këto substanca të zhduken përfundimisht, duhet të kalojnë vite të tëra.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Deutche Welle