Vendosni fjalën kyçe....

Lagarde la postin, kandidatura e mundshme e evropianëve për FMN-në


Qeveritë evropiane po diskutojnë në mënyrë aktive për të nominuar guvernatorin e Bankës së Anglisë, Mark Carney, si kreun e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar, shkruan Bloomberg.

Edhe pse ka lindur në Kanada, Carney mban pasaporta britanike dhe irlandeze, kështu që zgjedhja e tij do të ruante teknikisht praktikën prej shtatë dekadash të një evropiani si drejtor i FMN me qendër në Uashington.

Rivalët e Carney ende priten të dalin në pah. Carney është padyshim një kandidat i kualifikuar, por ka edhe të tjerë. Megjithatë, CV-ja e 54-vjeçarit  është vështirë të mundet. Ai ka qeverisur bankat qendrore të Britanisë dhe Kanadasë, ka ndihmuar rregullimin e financave globale, ka punuar brenda qeverisë kanadeze, ka fituar doktoraturën në ekonomi nga Universiteti i Oksfordit dhe ka kaluar më shumë se një dekadë në Goldman Sachs Group Inc.

Një përvojë e tillë është e rëndësishme, duke pasur parasysh se udhëheqja e FMN-së do të përballet me sfida të mëdha në kohën kur ekonomia botërore është më e dobëta në një dekadë dhe gjithnjë e më shumë e kërcënuar nga lufta tregtare midis SHBA dhe Kinës.

Ai ka drejtuar Bankën e Anglisë që nga viti 2013 dhe është planifikuar të largohet në fund të janarit, pasi ka zgjatur dy herë mandatin e tij për të ndihmuar në menaxhimin e pasojave ekonomike nga votimi pro Brexit. Krahas përcaktimit të normave të interesit, ai kryeson komitetin e politikës financiare dhe ka riformuluar mënyrën se si funksionon Banka Qendrore.

Nga viti 2011 deri në nëntorin e kaluar, Carney kryesoi Bordin e Stabilitetit Financiar, një organ ndërkombëtar i ngarkuar me forcimin e sistemit financiar ndërkombëtar pas krizës së vitit 2008. Ai punoi aty nga afër me krerët botërorë të tillë si Kancelarja gjermane Angela Merkel, që do të duhet të nënshkruajë kandidaturën e tij për FMN.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *