Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Rama avokati më i madh i Vuçiçit, justifikon rreshtimin e tij në krah të Rusisë


Është mbledhur sot Këshilli Kombëtar i PD-së. Kryetari i kësaj force politike Sali Berisha foli për qëndrimin e mbajtur nga kryeministri Edi Rama karshi Serbisë, lidhur me marrëdhëniet me Rusinë.

Berisha thotë se Rama po shërben si avokat e vasal i presidentit serb Aleksandar Vuçiç e po kryen veprime antishqiptare, duke i dalë në krah atij.

“Të dashur anëtar dhe anëtare të Këshillit Kombëtar. Kjo mbledhje bëhet në një moment jashtë zakonisht kritik për vendin, shoqërinë dhe kombin shqiptar.

Siç ndiqni situatën, Edi Rama, çdo javë, muaj, zhytet gjithnjë e më thellë në vasalitet të plotë ndaj presidentit serbomadh Aleksandër Vuçiç dhe Beogradit.

Në rast se ju merrni diskurin e tij të muajit të fundit, në këtë diskur njeriu më të mbrojtur, më të cituar në rajon, Europë, Botë në fjalimet e Ramës do të gjeni Vuçiçin.

Ky vasal i tij kalon nga samiti në samit, nga takimi në takim, duke mbrojtur një Putin të vogël në rajon, duke i dhënë këshilla Europës dhe botës, duke justifikuar plotësisht rreshtimin e Vuçiçit me Rusinë dhe kundër sanksioneve të BE-së, duke i paraqitur kërkesën për zbatimin e sanksioneve nga Vuçiçi si një kërkesë të rrezikshme për paqen e rajonin.

E vërteta është se prapa mbrojtjes që i bën Edi Rama aksit Moskë-Beograd, qëndron vasaliteti i tij ndaj Beogradit dhe indirekt ndaj Moskës. Qëndron shkelmimi që ai u bën interesave kombëtare të shqiptarëve.

Në këtë diskurs, Edi Rama në mënyrë absolutisht antishqiptare, por dhe çnjerëzore u thotë shqiptarëve dhe botës se unë nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës. Nuk bie dakord me Vuçiçin për mosnjohjen e Kosovës, por nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës.

Kërkesën që ai i drejton Vuçiçit publikisht, ndofta edhe privatosht për njohjen e Kosovës e ka të miratuar plotësisht nga padroni i tij. Në fakt Vuçiçi nuk mërzitet ndonjëherë nga kjo kërkesë. Natyrisht e shumëzon me zero dhe këtë e ka të qartë çdo qytetar i Kosovës, çdo qytetar e politikan shqiptar por edhe serb.

Me këtë alibi ai mbulon të gjitha shërbimet, të gjithë avokatinë që I bën Beogradit, që i bën aksit Moskë-Beograd, të gjithë qëndrimin e tij antishqiptar. Duke besuar se duke vendosur si maskë kërkesën ndaj Vuçiçit për njohjen e Kosovës, do mund ta përdorë për të mbuluar shërbimet e tij ndaj Beogradit, justifikimin e moszbatimit të sanksioneve ndaj Beogradit.”- tha Berisha.