Gazetari gjerman Peter Tiede, ka reaguar pas urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e publikimit të materialeve që lidhen me dosjen 339.
Sipas gazetarit gjerman, ky urdhër bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe madje cënon disa prej neneve që garantojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit.
“Shqipëria dëshiron të ndalojë mbulimin e përgjimeve. Dhe kështu shkel nenin 22 të Kushtetutës Shqiptare. Neni 22:
1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, radios dhe televizionit janë të garantuara.
3. Ndalohet censura paraprake e një mjeti të komunikimit.
4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve radiotelevizive.
Neni 23:
1. E drejta e informimit është e garantuar.
2. Secili ka të drejtën, në përputhje me ligjin, të marrë informacion në lidhje me veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
3. Secilit i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.”– shkruan Tiede.
Gazetari gjerman Peter Tiede, është ai që publikoi në gazetën “Bild” shkrimin me materialet në audio, që vërtetonin bashkëpunimin e zyrtarëve të Partisë Socialiste me klanin kriminal të Avdylajve.
Pas publikimit të këtyre audiopërgjimeve ku është i implikuar në veçanti kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, profili i gazetarit gjerman është mbushur me trolle të mbështetësve të PS-së.