Vendosni fjalën kyçe....

Aleatët e Bashës thirrje Metës: Shty zgjedhjet me 6 muaj


Aleatët e Partisë Demokratike i bëjnë thirrje presidentit të Republikës, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj.

Këtë thirrje krerët e 5 partive aleate me PD-në, e bënë nga një takim në Kamëz me qytetarët.

“I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit; i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste; i cili duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit. Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore”, deklaroi kreu i PR-së, Fatmir Mediu.

Sipas aleatëve të Lulzim Bashës, kryebashiaku i Durrësit Vangjush Dako nuk mund të vidhte votat pa bekimin e kryeministrit Edi Rama.

“E shihni, sot dhe përditë, që vazhdon të mbretërojë si një sulltan në të gjitha institucionet shqiptare. Ka kaluar në delir. Krye ‘skifteri’ është ky vet, i cili ka vjedhur zgjedhjet. Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet”, tha Agron Duka.

Këto deklarata vijnë pas publikimit të 6 audiopërgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, që tregonin bashkëpunimin mes eksponentëve të Partisë Socialiste me krerë të bandës së Shijakut për vjedhjen e votave.

Krerët e partive opozitare kërkuan nga qytetarët që të vijojnë të marrin pjesë masivisht në protestat e organizuara nga opozita.

Protesta e radhës do të mbahet më 8 qershor.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *