Vendosni fjalën kyçe....

Përgjimet e “Bild”, prokurorët e Dosjes 339 urdhër për ndalimin e publikimit të materialeve


Prokurorët e Krimeve të Rënda, që po merren me hetimin e Dosjes 339, kanë urdhëruar ndalimin publikimin e materialeve  që kanë të bëjnë me këtë dosje.

Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kanë firmosur urdhrin që ua ndalon publikimin e materialeve të gjithë atyre që kanë akses, duke nisur nga të paditurit, avokatët mbrojtës dhe persona të tjerë.

Urdhri

Në Tiranë, sot më 05.06.2019, ne Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pasi jemi njohur me publikimin e pjesshëm në disa media elektronike të disa akteve hetimore, përfshi dhe përgjime audio, të kryera në kuadër të procedimit penal Nr.339 të vitit 2016;

Konstatuam

Më datë 27.12.2016, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është regjistruar procedimi penal Nr. 339, lidhur me veprat penale të “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 283/a/2 të Kodit Penal.

Pas një hetimi proaktiv deri në muajin tetor 2018, i jemi drejtuar me kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për caktimin e masave të sigurimit personal për një numër të konsideruar shtetasish të dyshuar se kanë kryer veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/2, 33/a, etj, të Kodit Penal, të njohur ndryshe dhe si “Operacioni Vol Vo4”.

Menjëherë pas caktimit të masave të sigurimit personal nga gjykata dhe ekzekutimit të tyre nga Policia e Shtetit. Media të ndryshme kanë publikuar disa transkriptime të realizuara në kuadër të këtij hetimi dhe së fundmi edhe ëprgjime audio, të cilat na bëjnë të besojmë se kanë dalë nga kopjimi ose regjistrimi i bisedave që gjenden në CD-të bashkëlidhur akteve të këtij procedimi penal.

Nisur nga fakti se publikimi i akteve të mësipërme, cenojnë sekretin e hetimit paraprak lidhur me procedimin penal Nr.339, të vitit 2016, i cili nuk ka përfunduar akoma, çmoj se duhet ndaluar publikimi i tyre nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.

Në këto kushte, bazuar në kërkesat e neneve 103, 104 dhe 105 të K.Pr.Penale;

Urdhërojmë

Ndalimin e publikimit të akteve të procedimit penal Nr.339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.

Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhri Koordinatori për Mediat në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Subjektet e procedimit penal, avokatët mbrojtës, etj, të cilët për shkak të cilësisë së tyre njihen me aktet e procedimit penal Nr.339, të vitit 2016, ndalohen t’i bëjnë publike ato.

Shkelja e këtij urdhri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të K.Penal.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *