Vendosni fjalën kyçe....

Zëri i dytë kritik brenda PS-së, pse ish-këshilltarja e Ramës kërkon zgjimin e socialistëve 


Të mërkurën e kaluar, ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati kritikoi partinë e tij, duke kërkuar reflektim për të gjetur udhën e arsyes, sepse vendi ndodhet në udhëkryq të madh.

I vetmi zë i njohur, në mbështetje të tij nga brenda Partisë Socialiste është Irena Beqiraj.

Në një intervistë në gazetën “Mapo”, Beqiraj, ish-zëvendësministre, ish-drejtoreshë e Doganave dhe ish-këshilltare e Ramës thotë se nuk duhet kurrsesi që papërgjegjshmërisë, dëshpërimit dhe humbjes së drejtimit të opozitës, socialistët t’i përgjigjen me të njëjtën monedhë.

Beqiraj kërkon rizgjimin e socialistëve, sepse sipas saj krizat politike janë tregues i rënies së besimit të partitë e të dyja kaheve.

“Krizat politike që godasin kaq shpesh demokracinë tonë, janë tregues i qartë i rënies së besimit dhe ndikimit që partitë politike të të dy kaheve kanë në popull. Kjo është arsyeja që i detyron të gjitha partitë të flasin pa pushim për mbështetjen masive popullore. A keni vënë re sesi në kërkim të besimit të humbur kërkojnë të afirmohen me madhësinë e protestave apo edhe antimitingjeve që organizojnë pavarësisht mesazhit që japin? A e keni venë re se si kulti i individit ka dobësuar dhe ulur besimin te partitë në shoqëri? Kryetarët edhe një grusht i vogël njerëzish rreth tyre janë kthyer në solistët që “këndojnë“ të vetëm.”, shprehet Beqiraj.

Ish-këshilltarja e Ramës e hedh analizën më thellë, te amorfizimi i grupeve parlamentare e forumeve të larta të partisë. Është pikërisht, sipas Beqirajt, Kryesia e partisë që duhet ta thotë fjalën e saj në politikat që ndjek, jo vetëm kryeministri.

“Sa më shumë kohë kalon, grupet parlamentare dhe forumet më të larta partiake po kthehen në organizma amorfë pa debat e pa ide, pa zgjedhje e pa zgjidhje. Tregues kokëfortë e i dhimbshëm i kësaj të fundit është argumenti që trajneri zgjedh skuadrën. Trajneri (Kryeministri) e zgjedh skuadrën kjo është e vërtetë, por jo pa rënë më parë dakord me Klubin (pra me Kryesinë.) Pritja me ankth para kamerave e gjithë atyre burrave dhe grave, edhe anëtarë kryesie, për vendimmarrjen se kush do të jetë pjesë e skuadrës, nuk i ngjan aspak një përzgjedhjeje të diskutuar, të debatuar në Kryesinë e Partisë, me gjithë të drejtën që ka përsëri KM për të marrë vendimin e fundit. Këto qasje në mendimin tim i shqetësojnë socialistët.”,  argumenton Beqiraj.

E pyetur drejtpërdrejtë nga gazetarja Blerina Gjoka, ish-zëvendësministrja komenton pakënaqësinë brenda strukturave të PS-së, jo për mënyrën si po qeveriset vendi, por për qasjen se si duhet menaxhuar kriza e tanishme politike.

“Unë besoj se brenda grupit parlamentar edhe Partisë Socialiste ka mendje të mençura, të cilat po të fitojnë vetëbesimin se minimalisht dëgjohen, nuk anatemohen si kundërshtarë, apo etiketohen si të pakënaqur, do të mund të artikulonin zgjidhje dhe mesazhe shumë më shpresëdhënëse, sesa klishe të tipit: Ne dialogojmë, por nuk negociojmë?”, nënvizon Beqiraj.

Ish-ministri Bushati theksoi në Kuvend se dalja e opozitës nuk mund t’i bëjë arrogantë.

“Por demokracia është edhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për kodin zgjedhor për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare por mbi të gjitha për opozitën politike, besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka Partia Socialiste e Shqipërisë, Socialistët progresistët shqiptarë për fatet e demokracisë dhe për fatet e Shqipërisë”, theksoi ai.

Rama ka patur një qasje neglizhente ndaj dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës, ndërkohë që janë duke bërë debate parlamentare me deputetët e rinj që kanë pranuar mandatet, duke i quajtur “opozitë”.

Bushati u zëvendësua nga Rama me Gent Cakajn. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *