Vendosni fjalën kyçe....

9 atentatet që tronditën Shkodrën, bilanci i frikshëm në 10 muaj (Kronologjia)


Ekzekutime me armë, shpërthime me tritol dhe rrëmbim e zhdukje personash është pasqyra e Shkodrës që nga 13 janari i vitit 2018. 8 persona janë ekzekutuar, 2 rezultojnë të zhdukur, ndërsa ndaj një tjetri është bërë atentat me eksploziv.

Saga e vrasjeve ka të bëjë me rivalitetine bandave në qytetin veriperëndimor, që paralajmëron për të tjera ngjarje të rënda për aq kohë sa shprehja e kryeministrit Rama lidhur me krimet në vend është: Le të hanë kokën me njëri-tjetrin!

13 janar

Më 13 janar të vitit 2018, i bëhet atentat me eksploziv Lulzim Kullës, një personi të njohur për policinë pasi ka precedentë të shumtë penalë.

Kulla, i cili njihet për lidhjet e tij me familjen Lici, arrin të shpëtojë ndërsa arrestohet më 24 korrik të të njëjtit vit duke u larguar nga Shqipëria në pikën kufitare të Kakavijës me pasaportë false. Për atentatin ndaj Kullës janë arrestuar dhe po gjykohen Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta.

18 qershor 2018

Pak muaj më vonë, brenda servisit të tij, gjendet i ekzekutuar me plumb në kokë Mehdi Kavaja. Ngjarja është ende e pazbardhur ndërsa dyshohet se shkak i vrasjes janë konfliktet e vjetra të familjarëve të tij.

15 korrik 2018

Ish-polici Boran Bërcana dhe bashkëjetuesja e tij, Silvi Ndoci, ekzekutohen me breshëri plumbash brenda makinës së tyre në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut, ndërsa trupat e tyre u gjetën pas 5 orësh duke qenë se autori dyshohet se ka përdorur armë me silenciator.

Brenda mjetit ku u ekzekutuan ishte edhe fëmija 2-vjeçar i çiftit, i cili për fat të mirë u ka shpëtuar plumbave. Emri i Bërcanës lidhet me një prej familjeve që kontrollojnë Shkodrën dhe për këtë ai ka marrë edhe vërejtje gjatë kohës që ka qenë polic.

10 gusht 2018

Një muaj pas krimit të frikshëm, ekzekutohet me breshëri, Fatbardh Lici. Lici u ekzekutua teksa pinte kafen e mëngjesit në lagjen Kiras.

53-vjeçari kishte lidhje me Lulzim Kullën, të cilit iu bë atentat me eksploziv në janar 2018 por shpëtoi. Familjet Lici dhe Bajri janë 2 nga familjet që njihen për rivalitetin mes tyre në Shkodër, ndërsa atentati ndaj Licit është ende i pazbardhur. Makina e autorëve u gjet e djegur në Dobraç.

23 gusht 2018

47-vjeçari Agron Mollaj dhe daja i tij, 56-vjeçari Gëzim Hysa, rezultojnë të zhdukur që prej 23 gushtit të këtij viti. Edhe sot pas 7 muajsh nuk ka ende asnjë të dhënë mbi 2 personat e lartpërmendur.

1 shtator 2018

Biznesmeni Arjan Ferracaku u ekzekutua teksa kalëronte në Shkodër. Në momentin kur është qëlluar me breshëri, ai shoqërohej edhe nga 2 persona të tjerë por ata kanë deklaruar në polici se janë larguar me vrap kur kanë dëgjuar krismat.

Ferracaku ishte prionari i hotel “Fantazia” në Velipojë dhe restorantit “Zus”, që ndodhet sa kalon urën e Bunës në Shkodër. Dyshohet se objektivi i atentatit ka qenë Asmer Bilali, djali i pronarit të resortit të hipizmit, Astrit Bilali. Asmer Bilali është i arrestuar si anëtar i grupit Bajra.

14 nëntor 2018

Më 14 nëntor, rreth 2 muaj pasi i kishin vrarë kushëririn, ekzekutohet në lagjen Partizani në Shkodër, Fatos Ferracaku. 40-vjeçari u qëllua disa herë me plumba në kokë nga 2 persona me motor dhe skafandra. Në atentat mbeti i plagosur rëndë edhe vjehrri i viktimës, 49-vjeçari Fatmir Mehaj. Edhe kjo vrasje është ende e pazbardhur.

20 mars 2019

Nard Polia u ekzekutua në fshatin Grudë, pranë Shkodrës teksa udhëtonte me makinë. Biznesmeni, që njihej si pronari i bujtinës Polia në Shkodër u ekzekutua me breshëri automatiku.

Në çastin e ekzekutimit ai shoqërohej nga Xhovan Mirashi, mekaniku i servisit ku Polia kishte lënë mjetin për riparim. Lidhur me vrasjen e Polias, policia ka arrestuar 3 persona, Alfred Martinin dhe vëllezërit Gilbert e Kleandro Toma, ndërsa ka shpallur në kërkim, Kristian Sulajn.

30 mars 2019

Mëngjesin e sotëm, Shkodra u trondit sërish pasi 2 vëllezërit, Astrit e Ibrahim Bilali u ekzekutuan në derë të shtëpisë me breshëri plumbash. Astrit Bilali ishte pronari i një resorti kuajsh në Shkodër dhe është babai i Asmer Bilalit, i arrestuar si anëtar i grupit Bajra në Shkodër.

Makina e autorëve u gjet e djegur pak kilometra më tej ndërsa dyshohet se vrasja ka ndodhur si rezultat i përplasjes mes bandave të Shkodrës.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *