Pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Fier, ka reaguar ish-deputetja e Partisë demokratike Jorida Tabaku.
Ndërkohë që në Fier janë zhvilluar protesta gjatë vizitave të Ramës dje dhe sot, Tabaku shkruan se banorët e Fierit janë të indinjuar me qeverinë dhe aferat e saj korruptive në Fier.
Sipas Tabakut, vetëm brenda një dite janë lëshuar 17 VKM me qëllim përfitimin e një shume marramendëse, 178 mln euro për lejet e inceneratorëve në këtë qytet.
Tabaku thotë se Rama sot u kthye në vendin e krimit, pasi për 3 inceneratorët do t’u marrë shqiptarëve 178 milionë euro.
“Inceneratoret janë një nga aferat korruptive më të mëdha të kësaj qeverie, 178 mln euro pa tender, me procedura antiligjore dhe tërësisht korruptive, të falura një kompanie pa eksperience, me aksionerë offshore, pa punonjës e lidhur me pushtetin. Një rast aq evaziv saqë edhe Zëri i Amerikës, që kryeministri e ka pagëzuar tanimë si “kazan” ka folur për të.
Për ta kuptuar se sa korruptive është procesi i dhënies së lejeve inceneratore mjafton të përmendim se 17 vkm janë dhënë brenda një dite. Për të grabitur para publike që kanë shkuar dhe do të shkojnë në xhepat e Klodian Zotos (por edhe kush fshihet pas tij).
Kush ka dyshime për krimin ekonomik (por edhe atë mjedisor) le të shohë inceneratorin e Fierit, që do të ndërtohej në fshatin e Verrisë. Janë paguar nga buxheti i shtetit 16 mln euro dhe akoma nuk po hidhet as edhe një tullë. Fshati po zbrazet, njerëzit po ikin, paratë e shqiptarëve i janë paguar firmës së Klodian Zotos por nuk ka shenjë të fillimit të këtij projekti.
Projekti i inceneratorëve në Fier rezulton të jetë fantazmë, ama në Tiranë po realizohet duke u shndërruar në barrë për gjithëkënd. Prandaj kontratat e inceneratorëve do të jenë nga të parat që do te jetë subjekt i ligjit antimafia. Kushdo që ka firmosur, përfituar dhe punuar në dëm të buxhetit dhe qytetarëve do të vihet para ligjit. Fondet do të shkojnë për komunitetin!
Rama fatkeqesisht kudo që shkon vetem krim shkakton kete here ekonomik e mjedisor.
Fierakët prandaj protestojnë sot e do protestojnë dhe më 16 Mars!”, shkruan Tabaku.