Vendosni fjalën kyçe....

Tjetër denoncim i rëndë te Berisha, nëna rrëfen përdhunimin e vajzës 14-vjeçare në Tiranë


 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot denoncimin e dy prindërve, të cilët shprehen se disa persona trafikantë droge, i kanë përdhunuar vajzën 14-vjeçare, mirëpo policia nuk ka bërë asgjë kundër tyre.

“Rrëfim tronditës i një nëne në Vjolistan! – I drogojnë dhe përdhunojnë vajzën 14 vjeçare trafikantët! Narkopolicia qëndron në anën e tyre. Lexoni denoncimin rrënqethës të saj!”, komenton Berisha.

Në denoncimin e publikuar te Berisha, thuhet se prindërit e kanë denoncuar disa herë rastin ën Komisariatin Nr.1 në Tiranë, por punonjës të komisariatit ia kanë raportuar këtë dhunuesve të cilët u kanë bërë presion për të tërhequr denoncimin. Sipas tyre, policia dhe Prokuroria janë të lidhur dhe po mbrojnë si trafikantët ashtu edhe policin e lidhur me ta.

“Përshëndetje z.Sali Berisha. Jemi prindërit e një vajze 14 vjeçare e cila ka më shumë se 1 vit që e kanë mashtruar disa persona dhe duke e kërcënuar, ku si pasojë e kërcënimeve vajza më largohej me muaj të tërë nga shtëpia pa e ditur ku rrinte duke e droguar dhe përdhunuar, njëkohësisht nga shumë persona.

Kemi bërë kallëzime në polici në komisariatin Nr.1 shumë herë por kallëzimet tona binin në vesh të shurdhër se komisariati Nr.1 i shkrunte letrat në mënyrë që Prokuroria ta mbyllte si çështje duke i lënë të lirë përdhunuesit, të lirë për të vepruar sërish mbi vajzën time pa patur shqetësim as nga Policia as nga Prokuroria. Kur bënim kallëzimin në komisariatin Nr 1 Tiranë… u lajmëronin trafikantët nga punojësit e oficerë policie të komisariatit Nr. 1 dhe vajza vinte në shtëpi e egërsuar dhe ikte pasi na bënte presion që më tërheq denoncimin… Policia nuk vepronte për ndalimin e përdhunuesve dhe trafikantëve se i mbulonte oficeri i policisë gjyqësore F.S. Ky oficeri mbrohet nga eprorët e komisariatit Nr. 1 dhe nga Prokuroria… Jemi ankuar dhe për këtë oficer policie por është e kotë se është i mbrojtur me fanatizëm nga eprorët e tij… Ju faleminderit që po ju shkruajmë… Kërkojmë një zgjidhje nga ju se komisariati Nr. 1 i Tiranës nuk i nxjerrin para ligjit personat trafikantë dhe përdhunues se janë të lidhur me Prokurorinë që i mbyll çështjet… dhe një herë ju faleminderit, prindërit e 14 vjeçares B.C., me respekt GJ..C. dhe mamaja A.C.”, thuhet në mesazhin që zonja i ka dërguar Berishës.

Më dy shkurt, ish-kryeministri Berisha denoncoi përdhunimin sistematik të një vajze 13-vjeçare në Kavajë, ngjarje që rezultoi e vërtetë.