Vendosni fjalën kyçe....

Kontrollet e banesave dhe shoqërimi i gjyqtarëve, policia deklaratë: Operacioni vazhdon


Dritan Dajti

Pas mësyrjes në shtëpitë e gjyqtarëve që gjykuan Dritan Dajtin, Policia e Shtetit del në një deklaratë për mediet, duke thënë se konfirmon aksionin nga forcat speciale në banesat e gjyqtarëve që sipas saj “zbutën dënimin e Dritan Dajtit”.

“Duke iu përgjigjur interesimit shumë të madh të medias, Policia e Shtetit konfirmon aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale, në zbatim të urdhrit nr. 89, datë 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit.

Operacioni policor vazhdon edhe në këto momente, por mund të konfirmojmë se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese. “, deklaron policia.

Forcat e policisë kanë kryer kontrolle blic që në orët e para të mëngjesit të sotëm në pesë banesat e tre gjyqtarëve që rrëzuan vendimin e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin.

Sipas “News 24”, kontrollet janë kryer nga forcat speciale të policisë pas lëshimit të urdhrave të kontrollit nga Gjykata.

Një javë më parë, Apeli për Krimet e Rënda rrëzoi vendimin për burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin. Kjo gjykatë ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të Dajtit.

Dajti tashmë do të ketë dënimin me 25 vite burgim, një pjesë të të cilave i ka vuajtur.

Gjyqtarët që ishin pjesë e trupës që dha vendimin janë Skënder Damiani, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla si dhe Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha. Dy të fundit dyshohet se kanë votuar pjesërisht kundër vendimit për uljen e dënimit.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009: Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj. Sipas asaj që deklaroi asokohe, Dajti kishte qëlluar për vetëmbrojtje pa e ditur se po përballej me policë.

Viktimë në ngjarje mbeti edhe miku i Dajtit, Ledion Mara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *