Vendosni fjalën kyçe....

Putin i kërkon ndihmë Merkelit pas tensioneve me Ukrainën


Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar ndihmën e kancelares Angela Merkel për të ndikuar tek Ukraina, pas tensioneve në det.

Në mes grindjes ruso-ukrainase, ndërkombëtarët janë në kërkim të një përgjigjeje.

Sikurse shkruan DW, këtë të hënë Merkel foli përmes telefonit me presidentin Putin, me të cilin diskutoi mbi analizimin e incidentit nga ekspertët.

Ukraina ndjehet e kërcënuar nga Rusia dhe ka shpallur të hënën ligjin e luftës.

Pas bisedës që pati me presidentin ukrainas, Poroshenko, të hënën vonë në mbrëmje, kancelarja Merkel ka telefonuar presidentin rus.

“Kancelarja gjermane ka theksuar nevojën e ç’tensionimit të situatës dhe dialogut”, ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert pas telefonatës së kancelares Merkeli me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas DW, në telefonatën me Merkel, presidenti Putin ia ka hedhur fajin Ukrainës për përplasen në Detin Azov.

Ai i drejtoi lutje kancelares Merkel që të ndikojë tek qeveria e Kievit të “mos ndërmarrë hapa të tjerë të pamatur.”

Putin e ka vlerësuar situatën si “aksione provokative” të palës ukrainase.

Sipas të dhënave të zyrës së shtypit të kancelares, Merkel dhe Putin kanë diskutuar për opsionin e analizimit të incidentit nga ekspertë të mbrojtjes kufitare nga të dyja palët.