Vendosni fjalën kyçe....

I hyjnë në shtëpi për ta vjedhur, pronari vret njërin prej hajdutëve


Një person ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të hajdutëve që i kishin hyrë për ta vjedhur në banesë, duke lënë të vdekur njërin prej tyre.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, në lagjen “Veternik” të Prishtinës.

Sipas raportimeve, pronari i banesës ka qëlluar për vjekje njërin prej hajdutëve që i kishin hyrë në banesë për ta vjedhur.

 “Sot rreth orës 21:00, policia ka marrë informacionin se në lagjen Veternik në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka hasur në personin mashkull, i cili pas plagëve që ka marrë nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që hetuesit policor, me një intensitet të shtuar kanë ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në njoftim.

Avokati Besnik Berisha, ka dalë në mbrojtje të pronarit të banesës, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur, duke thënë se ai duhej të kthehej në shtëpi dhe të merrej në mbrojtje nga policia.

“Nese ne vendin tone do kishte drejtesi, pronari i shtepise qe sonte ka qelluar hajnin ne mbrojtje te pasurise se tij, menjehere do duhej te kthehej ne shtepi, madje te mbrohet nga Policia, deri sa ta thone fjalen e tyre hetuesia.

Per mua ngelet veprim i ligjshem dhe i domosdoshem cdo veprim qe behet per te zbrapsur hajnin/at, sepse sic ka ndodhur dhe me pare, jo rrallehere kane pesuar qytetaret nga ata qe mesyjne pasurine, por nuk kursejne as njeriun.

Hajnia po rritet, siguria edhe me tutje mbetet vetem deshire per ne…”, është shprehur avokati.