Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka nisur në mënyrën më të mirë Kupën e Botës, duke mposhtur Paraguain me rezultatin 4-1 në ndeshjen hapëse të Grupit D, të zhvilluar në Los Anxhelos.
Amerikanët kaluan në avantazh që në minutën e 7-të pas një autogoli të Damian Bobadillas. Më pas ishte Folarin Balogun ai që mori protagonizmin, duke realizuar dy herë në minutat 31 dhe 45+5, për ta mbyllur pjesën e parë me rezultatin 3-0.
Paraguai reagoi në pjesën e dytë dhe ngushtoi diferencën në minutën e 73-të me anë të Mauricio-s, por pa arritur të rikthehej në lojë.
Në minutën e 90+8, Giovanni Reyna vulosi fitoren 4-1 të amerikanëve me një gol spektakolar nga distanca.
Balogun u bë vetëm futbollisti i dytë në historinë e SHBA-së që shënon më shumë se një gol në një ndeshje të Kupës së Botës, pas Bert Patenaude, i cili realizoi tripletën e parë në historinë e turneut në vitin 1930, pikërisht kundër Paraguait.
Me këtë sukses, SHBA-ja e trajnerit Mauricio Pochettino merr tre pikët e para dhe jep një sinjal të fortë në garën për kualifikimin nga Grupi D.
