
Ushtria amerikane ka vrarë kreun e bandës venezueliane Tren de Aragua në një sulm ajror, njoftoi presidenti Donald Trump.
“Me urdhrin tim, Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara kreu një goditje të shpejtë dhe vdekjeprurëse, duke eliminuar me sukses Nino Guerrero,” shkroi Trump në rrjetet sociale.
Héctor Rusthenford Guerrero Flores njihej si udhëheqësi afatgjatë i Tren de Aragua. Banda, e cila fillimisht u formua në burgje, u shndërrua në një nga organizatat kriminale më famëkeqe në Amerikën Latine dhe ka qenë një objektiv i administratës Trump.
Trump dhe administrata e tij e kanë akuzuar grupin se po zhvillon “luftë” kundër Shteteve të Bashkuara dhe e ka shpallur atë organizatë terroriste të huaj.
Trump tha se operacioni ushtarak ishte “bashkërenduar ngushtë me miqtë tanë në Venezuelë, me të cilët po punojmë shumë mirë”. Autoritetet venezueliane konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në atë që e përshkruan si një operacion të përbashkët.
Kush ishte “Nino Guerrero”?
Héctor Rusthenford Guerrero Flores kishte një dosje policore që daton që nga vitet 2000 dhe akuzohej për sulme dhe vrasje të efektivëve të policisë.
Guerrero kaloi vite të tëra duke hyrë dhe dalë nga burgu. Në vitin 2012, ai u arratis pasi korruptoi një roje, por u arrestua sërish në vitin 2013.
Pas rikthimit në burg, ai e shndërroi burgun e Tocorón-it, në shtetin verior venezuelian Aragua, në një kompleks argëtimi me kopsht zoologjik, restorante, klub nate, pikë bastesh dhe pishinë.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Tren de Aragua, ose TDA, ishte fillimisht një bandë burgu, të cilën Nino Guerrero e transformoi në një organizatë kriminale transnacionale. SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Në shtator të vitit 2023, Nicolás Maduro, atëherë ende president, dërgoi 11,000 ushtarë për të rimarrë kontrollin e burgut. Guerrero arriti të arratisej përsëri.
Nën drejtimin e tij, Tren de Aragua u zgjerua në Kolumbi, Ekuador, Peru dhe Kili, duke kaluar nga zhvatja e emigrantëve në prostitucion, vrasje me pagesë dhe rrëmbime.
Edhe gjatë periudhave kur ishte në burg, ai arriti të zgjerojë ndikimin e organizatës, duke marrë kontrollin e minierave të arit në shtetin Bolívar, korridoreve të drogës në bregdetin e Karaibeve dhe pikave të paligjshme kufitare mes Venezuelës dhe Kolumbisë, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit.
Sipas shumicës së vlerësimeve, Tren de Aragua filloi të përhapet jashtë Venezuelës kur vendi hyri në krizë humanitare dhe ekonomike në vitin 2014, duke e bërë kriminalitetin vendas më pak fitimprurës. Aktualisht besohet se grupi ka degë në tetë vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Organizata operon pjesërisht duke krijuar aleanca dhe partneritete me grupe kriminale lokale.

Në Ekuador, për shembull, besohet se banda bashkëpunon me grupe të lidhura me kartelin meksikan Sinaloa, ndërsa në Kolumbi disa burime kanë pretenduar se ka bashkëpunuar me anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN), një grup guerril i majtë.
Nën administratën Trump, forcat amerikane kanë kryer dhjetëra sulme ndaj anijeve që, sipas tyre, janë pjesë e një operacioni të gjerë të kontrabandës së drogës drejt SHBA-së, përfshirë shumë mjete që pretendohet se ishin të lidhura me Tren de Aragua.
Më shumë se 200 persona janë vrarë në këto sulme që nga shtatori. Megjithatë, ushtria amerikane nuk ka paraqitur prova se anijet e goditura transportonin drogë ose kontrabandistë droge, gjë që ka nxitur kritika ndaj operacionit dhe pyetje mbi ligjshmërinë e tij.
Disa ekspertë ligjorë kanë argumentuar se këto sulme mund të shkelin të drejtën ndërkombëtare, pasi civilët po shënjestrohen pa iu dhënë e drejta e procesit të rregullt ligjor, shkruan Borderlandbeat.
Administrata Trump ka deklaruar se vrasjet janë të ligjshme. Në një deklaratë drejtuar Kongresit vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump kishte “përcaktuar” se SHBA ishte e përfshirë në një konflikt të armatosur formal me kartelet e drogës dhe se ekuipazhet e anijeve të përdorura për trafik droge konsideroheshin “luftëtarë”.