Vendosni fjalën kyçe....

KE mbron Ukrainën, Tusk: Dënoj përdorimin e forcës, rusët të përmbahen


Këshilli i Europës mban anën e Ukrainës në tensionet me Rusinë. Presidenti i KE-së, Donald Tusk, ka dënuar veprimet e Rusisë lidhur me “përdorimin e forcës në Detin Azov”.

Po ashtu, përmes një postimi në “Twitter”, ai i bëri thirrje Moskës zyrtare të përmbahet nga provokimet e mëtejshme.

“Dënoj përdorimin e forcës në Detin Azov nga ana e Rusisë. Autoritetet ruse duhet të kthejnë marinarët dhe anijet ukrainase, si dhe të përmbahen nga provokimet e mëtejshme. Kam diskutuar situatën me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, ndërsa më vonë do të takoj përfaqësuesit e tij. Evropa do të qëndrojë e bashkuar në mbështetje të Ukrainës”, janë fjalët e Tusk në një postim në Twitter.

Ky reagim vjen pas konfliktit të Rusisë dhe Ukrainës ne det, jashtë gadishullit të Krimesë, ku rusët goditën tre anije të marinës ukrainase dhe mbetën të plagosur disa anëtarë të ekuipazhit.

Dy shtetet fajësuan njëri-tjetrin. Rusia nga ana e saj tha se anijet kishin injoruar thirrjet për të ndaluar në kufi, gjë e cila kishte shkaktuar një veprim ushtarak të saj. Ndërsa Ukraina thotë se njoftoi më parë se anijet e saj të marinës do të lundronin nëpër zonë dhe rusët injoruan “kërkesat ligjore për të ndaluar” dhe kryen “manovra të rrezikshme”.