Vendosni fjalën kyçe....

Opozita e bashkuar diskuton buxhetin e Ramës: Katastrofal, rrënon përfundimisht vendin


Opozita e bashkuar është mbledhur sot për të diskutuar projektbuxhetin e vitit 2019. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Basha, ky është buxheti më katastrofik në 25 vitet e fundit.

Pas prezantimit nga ana e Bashës, deputetët e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë prezantuar problematikën e buxhetit, që sipas tyre është në shërbim të oligarkëve dhe varfëron edhe më shumë shqiptarët.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Tabaku, tha se borxhi publik ka mbërritur në 83% për shkak të koncesioneve dhe kontratave të Partneritetit Publik-Privat.

“Borxhi Publik ka mbërritur në 83 përqind, sepse kemi një buxhet jashtë buxhetit, për shkak të PPP-ve, që janë jashtë buxhetit dhe jashtë kontrollit. Sistemi bankar është pothuajse në kolaps”, tha Tabaku.

Ndërsa deputetja Vokshi tha se zhvillimi i vendit kalon vetëm përmes investimeve në sistemin arsimor, ndërsa qeverisja e Edi Ramës dhe buxheti 2019 po mbjell vetëm prapambetje.

Kreu i grupit parlamentar të Lëvisjes Socialiste për Integrim, Vasili, ka deklaruar se buxheti për shëndetësinë është buxheti i korrupsionit dhe qytetari po bëhet klient i korrupsionit qeveritar.

Të tjera probleme në buxhet janë theksuar nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste dhe deputeti i LSI-së, Duka e Panariti, të cilët deklaruan se subvencionet në Bujqësi janë 10 herë më të ulëta se në Kosovë dhe 12 herë më të ulëta se në Maqedoni.

“Me këtë buxhet ne ushqejmë vetëm bujqësinë e mjerimit, jo të eksporteve. Buxheti i Bujqësisë jo vetëm që s’ka rritje, por rrudhje në sigurinë ushqimore me -38%. Po ku shkojnë këto fonde.” tha Panariti.

Ndërkaq deputeti i LSI-së, Spahiu tha se ka një mungesë transparence totale për investimet dhe koncesionet, kurse demokrati Mima tha se qeveria Rama po bëhet gati të koncesionojë 13.7 miliardë euro dhe po synon të ngrejë një korporatë publike për tjetërsimin e pronave publike.

Ai tha se të gjitha kontratat korruptive koncesionare do anulohen me ardhjen e opozitës në pushtet.

Basha theksoi se kjo është një betejë ekzistenciale për një Shqipëri të mundësive për të gjithë, për konkurrencë të lirë dhe për një Shqipëri evropiane ndërsa buxheti i qeverisë Rama vjedh njerëzit dhe pasuron oligarkët. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *