Vendosni fjalën kyçe....

MAFIA E SADRIUT (Një vëzhgim mbi tepsinë korruptive të Rilindjes)


Javën e fundit në media janë ekspozuar dokumente që vërtetojnë (lexo këtu) se një kompani e quajtur Alko-Impex Construction shpk, e drejtuar nga nipi i deputetit socialist Sadri Abazi, ka operuar në tendera me letra të falsifikuara duke shkelur në mënyrë arbitrare ligjin dhe garën.

Kjo kompani nisi të fitonte një zinxhir tenderash të rëndësishëm, fill pasi deputeti Abazi hoqi dorë nga të drejtat mbi kompaninë e tij Usluga, për shkak të konfliktit të interesit si deputet.

Por që prej vitit 2013, nipi i deputetit Abazi, shtetasi Arbër Abazi, hyri në lojë si administrator i kompanisë Alko-Impex, e cila është një kompani me bazë në Kosovë, ndërsa Abazi përfaqëson filialin shqiptar.

Së fundmi në media u ekspozuan dokumente që tregojnë se si kjo kompani ka falsifikuar CV-të e inxhinierëve të saj, por një kërkim elementar në ‘Google’ me emrin e kësaj kompanie zbulon detaje tepër të rëndësishme, të cilat nëse mblidhen si ‘puzzle’ ofrojnë në mënyrë tepër të qartë mënyrën se si Rilindja dhe kryeministri Rama ka konceptuar dhe ndërtuar shpërndarjen e parave në këtë vend, ndarjen e tepsisë.

Është interesante se si kjo kompani në mënyrë të beftë nisi që prej Nëntorit të vitit 2013 të kapte me shpejtësi disa tendera që lidhen me pastrimet e qyteteve, ndërtimet e rrugëve, ujësjellës-kanalizime, rikonstruksione shkollash, furnizime dhe ndërtime impiantesh të kushtueshme për llogari të OSHEE-së  etj, pjesa dërrmuese e tenderëve të fituar janë dhënë nga institucione qendrore e lokale të kontrolluara nga Partia Socialiste.

Nuk ekziston ende një kalkulim përfundimtar mbi shumën totale që kjo kompani ka kapur në tendera, por shifra për 5 vitet e fundit duhet të jetë diçka më shumë a  më pak se 100 milionë USD.

Për të kuptuar mënyrën se si kjo kompani e drejtuar nga zoti Arbër Abazi ka operuar në tendera vendosëm të shqyrtojmë disa vendime të KPP-së (Komisioni i Prokurimit Publik). Ky institucion shqyrton ankesat që dërgojnë kompanitë për tendera të caktuar.

Ajo çfarë shfaqet në horizont pasi shqyrton vendimet e KPP-së për Alko-Impex është ndoshta treguesi më i qartë se si Rilindja ka parcelizuar buzhetin e shtetit në funksion të klientëve të vetë. Tregon se si Edi Rama ka ndërtuar një skemë tërësisht private, gati mafioze për ndarjen e tepsisë.

Përshembull, kur ishte kompania Alko Impex ajo që kishte humbur tenderin dhe ankohej në KPP, zyrtarët e KPP-së arsyetonin se si kjo kompani kishte mangësi në dokumentacion, nuk kishte vërtetuar dot pagesën e taksave, nuk kishte vërtetuar dot kapacitetet teknike, nuk kishte vërtetuar dot origjinalitetin e dokumentacionit. Dhe kompania Alko Impex, digjej.

Por në të tjerë tendera ku kompania Alko-Impex është shpallur fituese dhe konkurentet e saj janë ankuar në KPP, i njëjti komision ka thënë se kjo kompani posedon kapacitete të plota, financiare, ka paguar taksat, posedon kapacitete teknike dhe burimet e nevojshme njerëzore dhe certifikatat ISSO dhe vërtetësinë e dokumentacionit e ka të rregullt.

Është e njëjta KPP që një herë e skualifikon kompaninë Alko Impex për mangësi, ndërsa herët e tjera i ka konfirmuar fitoren e tenderit duke konfirmuar se këto mangësi nuk ekzistojnë.

Si shpjegohet ky dyzim?

Shpjegimi vjen nga ‘tepsia e pushtetit’.

Tenderët dhe fondet publike janë konceptuar si thela të tepsisë, një tender Sadriu, një tender dikush tjetër, ndërsa KPP-ja jo vetëm që nuk përfaqëson një autoritet ligjor dhe teknik që çon të drejtën në vend, por është shndërruar në një lloj mekanizmi garantues për ndarjen e plaçkës sipas porosisë politike.

Njësoj siç bën mafia, ndan thelat dhe cakton një ‘skuadër’ që garanton se thela do shkojë te vendi që ka përcaktuar ‘Bariu’. Gara dhe kriteret teknike janë një shaka e thartë, thelat nuk kanë nevojë për garë.

Është sistemi i vajisjes dhe tepsisë që ka konceptuar Edi Rama, kryeministri kontrollon me dorë të hekurt KPP-në, ky Komision është ndër të paktët institucione ku Rama I zgjedh vetë, personalisht, emër për emër anëtarët.

Por dhe pse në dukje është një sistem perfekt klientele dhe korrupsioni, që nuk çedon në asnjë pikë, publikimet e fundit në media tregojnë se klientët e kryeministrit kanë arritur në një nivel të ri vetëbesimi dhe arrogance, pasi kompania Alko-Impex, ka guxuar që të paraqesë dhe dokumente false në tendera.

Ky zbulim flagrant, arbitrar nuk lë shteg për interpretime, ndërsa dhe prokuroria e Elbasanit ka nisur procedim penal për falsifikim.

Mbetet për t’u parë qëndrimi i ministrit Gjiknuri në vijim, ai deri më sot nuk ka pasur ndonjë arsye të shqetësohej, pasi sa herë që kompanitë kishin problem aim und të tundte ato vendimet e KPP-së.

Por pas daljes së dokumenteve të falsifikuara dhe nisjes së hetimeve, skema ka çeduar dhe ato vendime të KPP-së nuk bëjnë më punë.

Çfarë do bëjë Gjiknuri? Do respektojë ‘lojën’ apo skema e tepsisë do kalojë në një nivel të ri, ku falsifikimet nuk do jenë më problem dhe kompanitë që kapen me dokumente false nuk do pësojnë asnjë reperkursion apo ndëshkim?

Sido që të veprojë Gjiknuri, zbardhja e dokumenteve dhe aktivitetit të kompanisë Alko-Impex, shërben si një ilustrim perfekt i mënyrës si funksionon shpërndarja e parave për rrjetin klientelist të Edi Ramës, mafia e Edi Ramës, ku Alko-Impex përfaqëson thelën e Sadriut, mafien e Sadriut. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *