Vendosni fjalën kyçe....

Kapen me heroinë, armë zjarri e eksploziv, pranga 2 të rinjve në Tiranë (Video)


Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi janë kapur në flagrancë me drogë dhe armë zjarri. Ata janë arrestuar në kuadër të operacionit “Cleaner” ndërsa të ndaluarit janë Ermal Demushi, 35 vjeç dhe Emirjon Doçi, 29 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Ata u kapën pasi gjatë kontrollit fizik në zonën e 21 dhjetorit janë kapur me drogë e dyshuar e llojit heroinë dhe më pas gjatë kontrollit në dyqanin e njërit prej të ndaluarve janë gjetur edhe armë zjarri e municione.

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Cleaner” duke vënë në pranga dy persona.

Të arrestuarit janë:

Ermal Demushi, 35 vjeç, banues në Tiranë.

Emirjon Doçi, 29 vjeç, banues në Allias, Tiranë

Nga policia është grumbulluar informacion nga burime të ndryshme se shtetasit Ermal Demushi dhe Emirjon Doçi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në zonen e ‘21 Dhjetorit’, shpërndanin (shisnin) lëndë narkotike të dyshuar si ‘Heroinë’ me doza.

Në bazë të këtyre informacioneve, është organizuar puna ku në afërsi të kryqezimit të ‘21 Dhjetorit’ në një lokal, janë kapur në flagrancë shtetasit Ermal Demushi dhe Emirjon Doçi.

Gjatë kontrollit, Emirjon Doçit ju gjetën 22 doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, ndërsa shtetasit Ermal Demushi një dozë me lëndë narkotike e dyshuar si heroinë si dhe 140 mijë lekë të reja të dyshuara si të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Kontrolli ka vijuar në dyqanin e shtetasit Ermal Demushi, ku mbi bazën e informacioneve dyshohej se kishte armë zjarri, dhe nga kontrolli i kryer, iu gjetën një sasi tjetër lënde narkotike e llojit Heroinë, 1 peshore elektronike, një dozë cannabis sativa, 5 kapsolla detonatore me fitil, 1 armë zjarri pistoletë me mulli, 1 armë zjarri pistoletë e markës Zastava, 12 fishekë, 1 fitil zjarr përcjellës si dhe 1 sasi e vogël lënde eksplozive.

Gjithashtu, po gjatë kontrollit të automjetit të shtetasit Ermal Demushi, në bagazhin e saj, iu gjet një pushkë sportive me dylbi.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar :

– 60 doza lëndë e dyshuar narkotike e llojit ‘Heroinë’ dhe një dozë ‘Cannabis Sattiva’

– një peshore elektronike – 1 armë pistoletë me mulli

– 1 arme zjarri pistoletë Zastava

– 12 fishekë

– 5 kapsolla detonatore me fitil

– 1 fitil zjarr përcjellës

– një sasi e vogël lënde eksplozive

– 1 pushkë sportive me dylbi

– 140 mijë lekë të reja

– 1 automjet në pronësi të shtetasit Ermal Demushi

– 5 aparat telefoni celular

Dosja me materialet proceduriale u referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitje lëndëve narkotike në bashkëpunim’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve’, ‘Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive’.” – thuhet në njoftimin e policisë.