
Policia e Shtetit ka vijuar operacionin e koduar “Fati i Lojërave”, duke goditur sërish veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit në qytetin e Kavajës.
Aksioni është zhvilluar pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ndërsa kontrollet janë ushtruar në dy ambiente në lagjen nr. 6 dhe lagjen nr. 1 të qytetit.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar 16 makina lojërash fati që përdoreshin në mënyrë të paligjshme.
Në lidhje me rastin janë shpallur në kërkim dy persona, një 26-vjeçar dhe një 20-vjeçar. Në ambientin e të parit janë gjetur 5 makina, ndërsa në atë të të dytit 11 makina të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa vijojnë hetimet për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit.