Vendosni fjalën kyçe....

Rama pas takimit me Mitsotakis-in grek: Drejt një partneriteti të ri strategjik Shqipëri–Greqi



Kryeministri Edi Rama ka komentuar vizitën e tij në Athinë dhe takimin me homologun Kyriakos Mitsotakis, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se gjatë takimit është bërë një bilanc i punës së grupit të përbashkët të ngritur për të adresuar çështjet e mbartura mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Shkova për të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë që të pritesha nga kryeministri i Greqisë dhe një mik i vyer, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura,” tha ai.

Sipas Ramës, pala greke ka shprehur gatishmëri të plotë për të avancuar këtë proces, me synimin për të finalizuar brenda vitit një dokument të ri të partneritetit strategjik.

“Më vjen shumë mirë të them se nga ana e kryeministrit ka një vullnet absolut për të bërë pikërisht adresimin me prioritet të të gjitha çështjeve të bartura… për të konfirmuar brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve,” u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për integrimin europian të Shqipërisë.

“Për ta mbështetur Shqipërinë si gjithmonë… në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian,” deklaroi Rama.

Në përfundim, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh optimist për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit si për minoritetin grek në Shqipëri, ashtu edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi.