Vendosni fjalën kyçe....

Po ti a do e zgjidhje Shqipërinë? Gogo.al provokon debat në auditorët e Universitetit Bedër pasi shfaq historitë personale të 5 të rinjve


Po ti a do ta zgjidhje Shqipërinë?

Ky ishte tehu i debatit që gazetarët e Gogo.al nxitën mes studentëve të Kolegjit Universitar Bedër, pasi shfaqën te ata 5 histori personale të të rinjve që e kanë zgjedhur Shqipërinë; Shpëtimit, Josianës, Izmirit, Rivës dhe Malkos.

Elisa dhe Dionisi janë dy studentë të Kolegjit Universitar Bedër që njëherazi ushtrojnë edhe biznesin e tyre.

Ata treguan për vështirësitë dhe sakrificat që u është dashur të bëjnë për të ndjekur ëndrrat e tyre e për të qenë të suksesshëm.

Elisa tha se pas përfundimit të një universiteti, kishte nisur një të dytë ndërkohë që ushtronte dhe biznesin e nisur nga i ati.

“Pasioni dhe dëshira që edhe babai më ushqeu, e kam vazhduar për vite me radhë dhe ia kam dalë. Shumë thonë se Shqipëria nuk të jep mundësi, rrogat janë të ulta, po unë mendoj krejt të kundërtën. Unë kam një studio time private dhe mendoj se në asnjë vend tjetër nuk do e kisha. Si vendi yt nuk ka. Nëse keni pasione, ëndrra, unë me gjithë shpirt ju them vazhdojini sepse ëndrrat një ditë bëhen realitet dhe pasioni gjithnjë do e gjejë rrugën e tij.” – pohoi Elisa.

Ndërsa Dionisi tha: “Nëse keni dëshirë për të përmirësuar veten, mendoni se në çdo vend mund t’ia dilni. E kam nisur që nga hallkat e para të gastronomisë dhe sot pas 12 vjetësh menaxhoj bizneset e mia dhe jam bashkëthemelues i Shoqatës së Bartenderave të Shqipërisë. Mendoj se të paturit dëshirë për përmirësim, duhet ta kalosh edhe në një fazë pak më shumë, ta kesh si pasion dëshirën për përmirësim, ta kalosh në qëllim në vetvete, mendoj se ky është çelësi i suksesit.”

Pjesë e panelit ishte edhe themeluesja e kompanisë “Commercey” Eldisa Cirogu, e cila rrëfeu gjithashtu rrugëtimin e saj të gjatë që nga shkollimi jashtë Shqipërisë dhe më pas rikthimi, hapja e biznesit bashkë me disa kolegë dhe më pas rritja e tij.

Ajo pohoi se një pjesë e mirë e të rinjve që janë pjesë e kompanisë kanë pasur përvoja shkollimi ose pune jashtë vendit dhe më pas kanë vendosur të kthehen në Shqipëri.

“Unë zgjodha të studioj në Romë, pas doktoraturës për Shkenca Politike vendosa të kthehesha me një kompani ndërkohë që punoja. Pas doktoraturës nuk u ktheva më në Itali dhe mendoja se e kisha rigjetur përsëri vendin tim ku doja të vazhdoja jetën dhe karrierën time profesionale. E filluam në vitin 2021 ne dhe 4 persona dhe sot e mbyllim vitin me 107 persona në Shqipëri dhe Kosovë. Gjithçka nis nga puna me veten, me reflektimin çfarë doni të bëni dhe mos i vendosni asnjë limit vetes, ëndrrave, pasioneve.” – u shpreh Eldisa.

Para diskutimeve nga studentët, fjalën e mori lektorja Suela Musta. Ajo u shpreh jo pak kritike për gjendjen në të cilën ndodhet vendi ende, pas 32 vitesh që nga rrëzimi i diktaturës.

Teksa tregoi disa momente pikante nga jeta e saj profesionale por edhe personale, jashtë dhe brenda Shqipërisë, Musta tha se të rinjtë mund t’i shërbejnë vendit e ta ndërtojnë të ardhmen këtu duke u bërë aktivë, duke kërkuar të drejtat e tyre, duke u bërë të ndërgjegjshëm.

“Shqipërisë ne i shërbejmë nëse bëhemi shoqëri e ndërgjegjshme, bëhemi rini që kërkon të drejtat. Të rinjtë nuk duhet të pranojnë dhunën. E shoh me shqetësim që të rinjtë sot janë pak apatikë. Një rini aktive e bën Shqipërinë edhe më atraktive. Fatos Arapi thotë një shprehje shumë të bukur, Atdheu duhet edhe kur të vret. Ju jeni një rini që keni një qasje mjaft ambicioze për të ecur para. Keni shanse të shkoni ta provoni veten por një detyrim e keni që është shtëpia, që është atdheu. Ju mund të shkoni kudo në botë por ai qëndron aty brenda jush. Gjërat nuk janë gjithnjë të matshme vetëm nga vlera monetare.” – tha ndër të tjera Musta.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Gogo.al (@gogo.al__)

Nisma e Gogo.al për të rrëfyer historitë personale të të rinjve që kanë zgjedhur Shqipërinë dhe po zhvillohen në vendin tonë mbështetet nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane nëpërmjet programit #SustainMedia, implementuar nga GIZ, DW Academie dhe Internews.