
Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë Joana Qeleshi vërejti mbrëmjen e sotme se numri i të paraburgosurve në vend është shumë i lartë.
Ajo propozoi që deputetët të ndërhyjnë në Kodin Penal për lehtësimin e gjendjes duke qenë se sistemi gjyqësor po bën të kundërtën e asaj që duhet.
“Ligjvënësi kur ka një situatë problematike, nuk shkon dhe bën një kod represiv dhe politikë penale më keq sesa është. Sepse zgjidhja ndaj kriminalitetit nuk është që ti të ashpërsosh dënimet, sepse kjo është një nga masat. Por masat e tjera ti i ke, duhet të kesh një qasje gjithëpërfshirëse që te edukimi, masat edukuese, etj. Atëherë çfarë bën ligjvënëse kur ka një situatë që duhet t’i gjejë zgjidhje? Që të jetë në përputhje me Strasburgun, me atë çfarë thotë ligji jonë, me standardet që të shmangim rastet e dënimeve të Shqipërisë, të plotësojmë kriteret dhe opinionet që kemi qoftë për burgjet, etj, atëherë ligjvënësi duhet të ndërhyjë. Nëse sistemi gjyqësor nuk reflekton vetë, që s’ka reflektuar, pra është në të kundërt me çfarë thotë ligji, në këndvështrimin tim e vetmja zgjidhje aktuale është ndërhyrja në ligj.” – tha Qeleshi.
Ajo shtoi se me ndryshimet në ligj mund të vendoset që për një kategori të caktuar personash gjykatësit nuk mund të caktojnë masën ‘arrest me burg’.
“Që do të thotë në kodin e procedurës penale i duhet thënë gjyqtarit që ti masë sigurie ‘arrest me burg’ për këtë kategori veprash, për persona të padënuar më parë dhe kritere të tjera që mund të caktohen, nuk cakton dot. Dhe në këtë rast ti zgjidh edhe situatën që gjyqtari është i qetë sepse e ka në ligj dhe nuk i thotë njeri pse e nxorre apo pse nuk e nxorre”, shtoi ajo.